Partia Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka festuar të mërkurën 12-vjetorin e krijimit të saj, për fat të keq pa praninë e liderit të saj historik, Ramush Haradinaj.

Gjatë një ceremonie të posaçme, nënkryetari i AAK-së, Blerim Shala ka komentuar veprimtarinë e partisë gjatë kësaj dekade.

“Në 12 vitet e fundit, AAK, si asnjë parti tjetër në Kosovë, është rrëzuar dhe është ngritur sërish. Gjithashtu, ajo është larguar nga suksesi politik në momentet kur ka qenë fare pranë tij”, ka thënë Shala.

Sipas tij, problemet që ka hasur subjekti në fjalë, një ndër më të rëndësishmit të opozitës kosovare, i detyrohen mungesës së kryetarit Ramush Haradinaj, që po gjykohet në Hagë.

Megjithatë, Shala është shprehur i bindur për rikthimin e shpejtë të Haradinaj dhe për rikthimin e AAK-së në kursin e duhur politik.

“Haradinaj shumë shpejt do ta çojë AAK-në aty ku nuk ka qenë kurrë më parë dhe do ta bashkojë atë me suksesin që presin të arrijnë qytetarët e Kosovës”, ka shtuar Shala.

Top Channel