Në Kosovë, lëvizja “Fol” ka lëshuar një seri kritikash ndaj kryeministrit Hashim Thaçi dhe qeverisë së tij, se nuk po bën asgjë për të vendosur rendin dhe sigurinë në veri të vendit.

“Kryeministri qëndroi me ditë të tëra në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por nuk qëndroi as edhe një orë të vetme në Zveçan, Zubin-Potok apo Leposaviç”, thuhet në një komunikatë për shtyp të lëvizjes.

“Fol” ka akuzuar gjithashtu Thaçin se ka qenë më i interesuar për zgjedhjet në Ferizaj, se sa për veriun dhe banorët e atjeshëm që jetojnë të kërcënuar.

“Në veri kemi parë çdo gjë, krim të organizuar, informalitet, struktura paralele, por nuk kemi parë dhe nuk po shohim praninë e institucioneve shtetërore”, thuhet më tej në komunikatë.

Lëvizja “Fol” i bëri thirrje qeverisë Thaçi që të konsolidojë pushtetin e institucioneve në të gjithë territorin e Kosovës dhe jo vetëm pushtetin partiak të kryeministrit.

Në veri të Kosovës situata vazhdon të mbetet e tensionuar për shkak të incidenteve ndëretnike që u regjistruan së fundmi.

Misioni i KFOR-it ka rritur praninë në këtë zonë duke bërë që situata të jetë më e sigurtë, por në tërësi ajo vazhdon të mbetet e brishtë.

Ndërkohë, autoritetet kosovare vazhdojnë të kundërshtojnë propozimet për një status special për këtë zonë, që është e banuar me shumicë serbe.

Top Channel