Eurozonë, rekord i ri i papunësisë

02/05/2012 15:35

Papunësia në Eurozonë arriti një rekord të ri në muajin mars, ndërsa kursimet buxhetore vazhdojnë të godasin më rëndë klasën punëtore.

Të dhënat e Eurostatit për marsin, të publikuara ditën e mërkurë, treguan se midis 17 shteteve që përdorin monedhën e përbashkët euro, papunësia është rritur në 10,9%, niveli më i lartë i papunësisë që prej formimit të Eurozonës në vitin 1999.

Në total, janë 17,4 milionë njerëzit që kërkojnë një punë, pa qenë të aftë ta sigurojnë atë, ndërsa më shumë se tre milionë prej tyre janë të rinj nën moshën 25-vjeçare.

Të dhënat ishin shqetësuese sidomos për Italinë, që me papunësinë në nivelin 9,8%, shënon nivelin më të lartë të regjistruar në 12 vjet.

E papritur ishte edhe një rritje e lehtë, prej 0,1%, e papunësisë në Gjermani gjatë muajit mars, çka e çon nivelin në 6,8%. Pas gjashtë muajsh rënie, tashmë numri i të papunëve në Gjermani është prej 2,87 milionë personash.

Spanja vazhdon të jetë vendi më problematik i Eurozonës, me një normë papunësie dramatike që vazhdon të rritet, prej 24,4% ose 5,6 milionë spanjollë. Ç’është më e keqja, pritet që kjo normë të mos njohë frenim në progresimin e saj gjatë të gjithë 2012-s.

Përsa i përket të dhënave të 2011-s në tërësi, “Eurostat” lajmëroi se vendet që kanë patur rënien më të madhe të papunësisë kanë qenë tre shtetet Balltike, Lituania, Letonia dhe Estonia, ndërsa Spanja, Greqia dhe Qipro, mbajnë rekordin negative.

Përsa i përket vetbesimit të konsumatorëve, në muajin prill ai arriti koefiçentin 45,9, më të ultin që prej qershor 2009 dhe pothuajse dy pikë më të ulët nga norma 47,7 e marsit. Çdo koefiçent nën 50 tregon një kontraktim në këtë sektor.

Top Channel