Egjipt, rikthehet dhuna, vriten 11 protestues

02/05/2012 15:10

Persona të panjohur hapën zjarr dhe vranë 11 protestues, përpara Ministrisë së Mbrojtjes, në Kajro.

Ngjarja e ndodhur mesditën e së mërkurës rikthehen gjendjen tejet të tendosur dhe delikate në vendin arab me 85 milionë banorë, në prag të zgjedhjeve presidenciale të fundmuajit.

Protestuesit ishin duke zhvilluar një manifestim paqësor që kundërshtonte monopolin e klasës së ushtarakëve në jetën politike të vendit, kur u goditën me plumba, gurë dhe bomba molotov. Disa prej protestuesve ishin në gjendje të kundërpërgjigjeshin, duke rrahur brutalisht disa prej agresorëve.

Ushtria dhe policia ndërhynë për të ndaluar përleshjet, por ndërhyrja erdhi gjashtë orë pas fillimit dhunës.

Dy kandidatët kryesorë për presidentë vendosën të ndërpresin fushatën e tyre si rrjedhojë e këtyre ngajrjeve.

Abdul Moneim Aboul Fotouh, një islamist i pavarur dhe Muhammed Mursi, kreu i koalicionit musliman të Vëllazërisë Muslimane dhe Partisë së Drejtësisë, kritikuan autoritetet për mungesën e efektshmërisë dhe përgjigjen e vonuar.

Së bashku me Partinë Salafiste Nour, e cila me dy partitë e tjera islamiste kontrollon 70% të vendeve në Parlament, lëvizjet fetare vendosën të bojkotonin një takim me Këshillin e Lartë të Forcave të Armatosura, i programuar më vonë gjatë së martës.

Ky është episodi më i përgjakshëm në Egjipt që prej revoltave në një stadium, kur nga përleshja midis tifozerive gjetën vdekjen më shumë se 70 tifozë, më parë gjatë vitit.

Klima e tensionuar vjen ndërsa vendi përgatitet të mbajë zgjedhjet e para politike që prej largimit nga pushteti të ish-presidentit Hosni Mubarak.

Top Channel