Disidenti kinez la ambasadën prej kërcënimeve

02/05/2012 15:25

Disidenti kinez, Chen Guangcheng, pranoi të largohej nga ambasada amerikane në Pekin, pasi autoritetet kineze kërcënuan me vdekje anëtarët e tij të familjes.

Chen deklaroi për “Associated Press” se iu dhanë garancitë se do të jetonte dhe studionte i lirë në Kinë, por tashmë ka frikë për sigurinë e tij.

Disidenti i vërbër i dha këto deklarata nga një spital, ku ishte dërguar për një kontroll të përgjithshëm mjekësor nga stafi i ambasadës amerikane, përpara se t’i bashkohet gruas dhe dy fëijëve të tij.

Sipas “CNN”, ndërkohë, Pekini zyrtar i ka kërkuar Uashingtonit që t’i paraqesë një ndjesë zyrtare, pasi strehimin e disidentit në ambasadë, autoritetet e konsideruan si një ndërhyrje në punët e brendshme. Megjithatë, një pretendim i tillë nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Bisedimet SHBA-Kinë, lirohet aktivisti

Disidenti kinez i strehuar në ambasadën amerikane në Pekin prej disa
ditësh, Chen Guangcheng, u largua ditën e mërkurë pas gjetjes së një
marrëveshje me autoritetet kineze.

Sipas Uashingtonit, disidenti i verbër kishte nevojë për ndihmë mjekësore dhe u largua pas gjetjes së një “mirëkuptimi”, për qëndrimin dhe studimin e tij në Kinë.

Avokati i tij konfirmoi se “Chen është i lumtur dhe i lirë”. Lajmërimi erdhi ndërsa Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, mbërriti në Kinë për bisedime të nivelit të lartë me autoritetet vendase.

Clinton e vendosi Chen në qendër të bisedimeve të saj, duke theksuar se fati i tij do të ndiqet afërsisht e për një kohë të gjatë nga SHBA.

Aq e rëndësishme u shndërrua çështja e disidentit, sa ajo rrezikoi të errësonte bisedimet kryesore, të fokusura në çështje si Siria apo tregëtia midis dy vendeve.

Aktualisht, Chen është dërguar nga ambasada amerikane në një spital publik në Pekin për kontrolle, përpara se të rikthehet pranë gruas dhe dy fëmijëve të tij.

Megjithatë, ekziston skepticizëm nëse garancitë që Kina i ka dhënë aktivistit do të respektohet. Ai u vuajti një dënim prej katër vitesh burg dhe u vendos në rregjim të arrestit shtëpiak, pasi demaskoi një skandal, në të cilin zyrtarë të një krahine në Kinë detyronin vajzë e reja të sterilizohesin ose abortonin, në kuadrin e politikës së kontrollit të lindjeve.

Fituesi i Çmimit Nobel për Paqen, Liu Xiaobo, aktualisht është duke vuajtur 11 vite burgim në Kinë, pasi sugjeroi ndërrimin e regjimit.

Top Channel