“S&P” nxjerr Greqinë nga “falimentimi”

02/05/2012 17:55

Vlerësimi i borxhit publik të Greqisë është rritur nga agjencia e kreditimit “Sandard & Poor’s”, duke dalë nga niveli i “falimentimit”.

Agjencia e ngriti vendin e goditur rëndë nga kriza në nivelin “CCC” nga niveli i “falimentimit selektiv”, pasi shteti helen përfundoi ristrukturimin e borxhit më të madh në historinë e tij më herët gjatë vitit.

Por pavarësisht kësaj, situata për Greqinë mbetet e vështirë. “Megjithëse është bërë ndryshimi i nivelit dhe presionet janë lehtësuar, në këndvështrimin tonë, borxhi publik i Greqisë mbetet ende i lartë”, ka komentuar më pas agjencia.

Greqia është ndihmuar dy herë me ndihma financiare nga ndërkombëtarët. Vendi mori hua që arrijnë në 110 miliardë euro në vitin 2010 dhe, pas ristrukturimit të borxhit, siguroi 130 miliardë të tjerë në mars të vitit 2012 nga eurozona dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Vlerësimi në nivelin “CCC” do të thotë, sipas “Standard&Poor’s”, se Greqia vazhdon të jetë e cënueshme dhe e varur nga biznese të favorizuara, si dhe kushte financiare dhe ekonomike që duhen plotësuar.

Në mars, agjencia tjetër “Fitch” rriti gjithashtu kuotën e Greqisë duke e nxjerrë nga niveli i “falimentimit”. Vendi helen do të zhvillojë zgjedhjet e përgjithshme ditën e diel dhe është përfshirë nga protesta të vazhdueshme kundër masave anti-krizë.

“Plani fiskal parashikon ngritje të taksave dhe mbledhje më të fortë të tyre, një program të gjerë privatizimi dhe shkurtime të ndjeshme të shpenzimeve qeveritare”, ka thënë “S&P”.

Top Channel