Siri, rikthehet dhuna, dhjetëra viktima

01/05/2012 15:25

Të paktën 23 persona mbetën të vrarë në përplasjet e reja në Siri, lajmëruan ditën e martë aktivistët.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut informoi se nëntë anëtarë të një familje, përfshi edhe katër gra e dy fëmijë, ishin midis 11 personave të vrarë nga goditjet me mortaja, në një fshat pranë Idlibid.

Njëkohësisht, 12 ushtarë mbetën të vrarë në bazën e tyre në Deir al-Zour, pasi u sulmuan nga trupa të kryengritësve. Dhuna rikthehet në Siri ndërsa 16 vëzhgues kanë mbërritur në vend, për të monitoruar planin e paqes për të cilin është gjetur një marrëveshje më parë.

Deri në fund të majit, pritet që 300 monitorues të mbërrijnë në zona të ndryshme të vend.

Kofi Annan, në emër të OKB-së negocioi një armëpushim gjatë prillit, por klauzolat e tij nuk janë respektuar dhe në përleshje janë shënuar me dhjetëra viktima në mënyrë të përditshme.

Plani prej gjashtë pikësh, parashikonte:
1) Proces politik për të adresuar aspiratat dhe shqetësimet e popullit sirian
2) Fundin e dhunës së armatosur në të gjitha format, nga të gjitha palët, për të mbrojtur civilët
3) Të gjitha palët të garantojnë kushtet për ndihmën humanitare në të gjithë zonat e prekura nga konflikti
4) Autoritetet të intensifikojnë ritmin dhe shkallën e lirimit të personave që janë burgosur në mënyrë arbitrare
5) Autoritetet të garantojnë lirinë e lëvizjes në të gjithë vendin për gazetarët
6) Autoritetet të respektojnë lirinë e grumbullimeve dhe të drejtën për të protestuar në mënyrë paqësore.

Në total, në më shumë se një vit përleshje në Siri, mbi nëntë mijë persona kanë humbur jetën, vlerëson OKB. Megjithatë, përfaqësues të grupimeve opozitare jashtë Sirisë përflasin për një shifër prej 20 mijë viktimash.

Top Channel