Provokimet e Koresë kanë marrë fund

01/05/2012 10:15

Presidenti amerikan Barack Obama dhe kryeministri japonez Yoshihiko Noda kanë paralajmëruar Korenë e Veriut se, metodat e saj provokuese kanë marrë fund.

Obama deklaroi se veprimet e fundit të Penianit, përfshirë lançimin e dështuar të raketës, vetëm sa do të thellojnë izolimin e Koresë së Veriut.

Ndërsa zoti Noda theksoi se ka një mundësi të madhe që Peniani të kryejë testin e tij të parë bërthamor që prej vitit 2009.

Dy liderët folën së bashku në një konferencë për shtyp të zhvilluar në Uashington, pas një takimi kokë më kokë.

“Metodat e vjetra të provokimit që tërheqin vëmendjen kanë marrë fund”, tha shefi i Shtëpisë së Bardhë.

Ai theksoi se Uashingtoni bashkë me aelatin e tij, Japoninë, janë të një qëndrimi se Peniani duhet t’u bindet normave ndërkombëtare dhe se nuk duhet të bëjë asgjë që të vazhdojë me akte provokuese.

Tensioni në gadishullin korean mbetet i lartë pas testit të dështuar të Penianit për të lëshuar një raketë mbi detin e Verdhë më 13 prill.

Peniani deklaroi atëherë se bëhej fjalë për një satelit që do të ngrihej në orbitë, por kritikët thanë se lëshimi ishte një test për teknologjikë ushtarake, të ndaluar nga rezolutat e OKB-së.

Duke qëndruar pranë zotit Obama në Dhomën Lindore të Shtëpisë së Bardhë, zoti Noda tha se, “ka shanse konkrete që koreano-veriorët të kryejnë një test bërthamor”.

Top Channel