Padi civile kundër Strauss-Kahn

01/05/2012 00:00

Në kohën kur vazhdon betejën e tij me drejtësinë në Francë, kundër ish-kreut të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Dominique Strauss-Kahn është hapur një tjetër front.

Këtë herë bëhet fjalë për cështjen gjyqësore në Nju Jork, ku Strauss-Kahn tashmë duhet të përballet me një padi civile të ngritur nga kamarierja e hotelit “Sofitel”, Nafisatu Diallo e cila pretendon se është ngacmuar seksualisht nga ish-kreu FMN-së.

Skandali plasi në 14 majin e vitit të kaluar, kur Kahn u prangos nga policia amerikane pas denoncimit të kamarieres 32-vjeçare. Cështja gjyqësore e ngritur ndaj tij dhe skandali që e vendosi në qendër të vëmendjes së mediave botërore, e detyroi Strauss-Kahn të japë dorëheqjen nga kreu i FMN-së, por edhe të digjte mundësinë për të qenë president i Francës.

Pas javësh hetime, gjykatat njujorkeze vendosën lirimin me kusht të Strauss-Kahn për mungesë provash, ndërsa më vonë hoqën dhe përgjegjësinë e tij penale për rastin në fjalë. Cështja kaloi në padi civile, ku kamarierja e hotelit kërkonte dëmshpërblim nga ish-kreu i FMN-së, ndërsa ky i fundit dorëzoi një kërkesë në Gjykatën e Lartë të Nju Jorkut, ku kërkonte arkivimin e cështjes.

Por kjo kërkesë e tij është rrëzuar në një vendim të kohëve të fundit të kësaj gjykate. Sic njofton New York Post, Gjykata e Lartë në Bronks, rrëzoi kërkesën e Strauss-Kahn duke i mohuar pretendimin e tij për imunitet.

Ndërkohë, në Francë, Diminique Strauss-Kahn përballet me akuzën e favorizimit të prostitucionit, pas skandalit të shpërthyer pak javë më parë, ku përflitet për kryerjen e marrëdhënieve seksuale me 6 prostituta nga ana e ish-kreut të FMN-së. Vetë Strauss-Kahn pranoi se kishte kryer marrëdhënie seksuale me 6 femra, por mohon pjesën e saj kur thuhet se gjithcka ishte realizuar kundrejt një pagese. Ai pretendon se nuk ishte në dijeni që vajzat ishin prostituta.

Në Francë ushtrimi i prostitucioni është i ndaluar me ligj.

Në një intervistë të kohëve të fundit në Francë, Strauss-Kahn sulmoi ashpër partinë e presidentit aktual dhe kandidatit për një tjetër mandat nga e djathta franceze, Nicolas Sarkozy, për orkestrimin e skandaleve të tij seksuale. Ai tha se ndiqej nga agjentë të fshehtë francez dhe telefoni i përgjohej prej kohësh. Këto akuza u rrëzuan nga presidenti Sarkozy i cili tha se Strauss-Kahn duhet të lërë Francën të zgjedhë për të ardhmen e saj e të përballet me drejtësinë për akuzat e ngritura kundër tij.

Top Channel