Me arsyetimin se gjendja politike në Kosovë është alarmante, sidomos kur bëhet fjalë për veriun, bashkimi i sindikatave të Kosovës nuk ka organizuar protestë në ditën e 1 majit.

Kjo situatë nxiti reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila nëpërmjet një aksioni pranë objektit të BSPK-së (Bashkimi i Sindikatave të Punëtorëve të Kosovës) shprehu pakënaqësitë ndaj këtij institucioni, për sa i përket permbushjes se të drejtave të punëtorëve në Kosovë.

”BSPK, me këtë qëndrim i shërben pushtetit dhe jo punëtorëve që duhet të mbrojë”, deklaroi një përfaqësuese e “Vetëvendosjes”.

Por, teksa Vetëvendosje vendoste mbishkrimet e veta, nënkryetari i BSPK-së doli para gazetarëve dha një shpjegim tjetër se pse punëtorët sot nuk shprehin pakënaqësitë e tyre.

Sipas tij, janë vetë punëtorët, por edhe sindikata të caktuara. të cilat nuk e kanë parë të arsyeshme të protestohet.

”Unë vetëdijen nuk mund të shkoj dhe t’ia ngrej punëtorit në çdo organizatë. Ne kemi kërkesat tona, por si mund të dalim dhe të bëjmë një kërkesë të atillë kur punëtorët nuk dalin për vete. Punëtorët nuk kanë qenë dhe kur të doni, edhe që nesër i thërrasim për 20%-shin, që duhet të dalin dhe ta mbrojnë, pasi me ligj u takon”, deklaroi Avni Ajdini, nënkryetar i Bashkimit të Sindikatave të Kosovës.

1 maji ben pjesë në kalendarin e festave zyrtare në Kosovë. Por, qytetarët e Kosovës nuk e shfrytëzojnë ditën e pushimit për të kërkuar të drejtat e tyre dhe përmirësimin e kushteve të jetesës.

Përkundrazi, parku i Gërmisë në Prishtinë edhe këtë herë është mbushur nga qytetarët e të gjitha viseve të Kosovës, të cilët e kalojnë një majin si çdo ditë tjetër feste.

Top Channel