Kasti i “Skyfall” prezanton filmin në Stamboll

01/05/2012 00:00

Aktoret Naomi Harris dhe Bernice Marlohe, dy Bond-girl në filmin e
ardhshëm të agjentit 007, kanë tërhequr vëmendjen e fotografëve në
Stamboll.

Në qytetin turk, bashkë me protagonistin kryesor Daniel Craig, aktoret kanë bërë prezantimin e filmit të radhës të agjentit të Madhërisë së Saj, me titull “Skyfall”.

Filmi i tretë me Daniel Craig, me regji të Sam Mendes, do të dalë në kinematë e gjithë botës më 26 tetorin e ardhshëm. Regjisori ka dashur të sjellë një Bond paksa ndryshe nga ai i penës së Ian Flaming.

“Nuk do ta kisha marrë kurrë regjinë e filmit nëse nuk do të kisha pasur mundësi të vija diçka timen në të. Kur të bëhet montazhi, do të duket se cili është ndryshimi”, ka thënë Mendes në konferencën për shtyp.

Mendes dhe Craig po punojnë ngushtë për realizimin e filmit të 23-të të James Bond, i cili nuk do të ketë lidhje me kapitujt e mëparshëm dhe do të ketë një buxhet prej 230 milionë dollarësh.

“Në fillim nuk duhet të ishte kështu, por më pas lexuam e rilexuam Ian Flaming dhe shkëmbyem email-e me mendimet tona dhe të gjithë u përfshin në projekt”, ka thënë Craig.

Kastit të filmit iu desh më shumë kohë për të mësuar skenarin pasi xhirimet e filmit u ndërprenë njëherë në Indi dhe pasi kompania MGM nuk kishte buxhet të mjaftueshëm dhe ishte në prag të shpalljes së falimentimit.

Fansat e agjentit 007 janë në pritje të filmit të ri që do të vijë në kinema pas disa muajsh. Filmi i parë me Daniel Craig, “Casino Royal” u vlerësua nga publiku dhe kritika si një ndër historitë më të mira, ndërsa ai që pasoi, “Quantum of Solace”, nuk u mirëprit edhe aq për shkak të aksionit të ekzagjeruar, duke pasur parasysh faktin se James Bond është më tepër një njeri i rafinuar. Mbetet vetëm që adhuruesit të presin deri në tetor për të parë episodin e tretë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA