Sipas Komisionerit Europian për zgjerimin, Stefan Fule, Prishtina dhe Beogradi janë mirëkuptuar se cilat prej tre zgjedhjeve serbe duhet të mbahen në Kosovë si dhe për rolin e OSBEsë, ndërsa këto ditë janë zhvilluar negociata intensive, të cilat nuk kanë përfunduar ende.

Stefan Fule, Komisioneri Europian për zgjerimin e BE-së:

“Ka pasur një mirëkuptim mes Prishtinës dhe Beogradit, OSBE do të jetë organizata që do ta bëjë të mundur. Ka pasur negociata shumë intesinve këto ditët e fundit. Mesa jam i informuar negociatat për disa çështje vijojnë, megjithatë është rënë dakort për një marrëveshje të përgjithshme dhe modalitetet e saj”.

I pyetur nga TCH se a vijon të kundërshtojë mbajtjen e zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë, ndërkohë që politikanët serbë vijojnë të këmbëngulin për zhvillimin e tyre, Komisioneri Fule u përgjigj:

 “Unë do përsëris egzaktësisht të njëjtat gjëra që kam thënë në ditët dhe javët e shkuara: Nuk ka vend për zgjedhjet lokale serbe dhe zhvillimin e tyre në territorin e Kosovës. Këtë e kam thënë shumë qartë dhe siç e shihni po e përsëris. Në të njëjtën kohë kam thënë se për zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale, atyre votuesve me të drejtë vote në territorin e Kosovës, duhet t’iu jepet mundësia që të marrin pjesë në këto zgjedhje”.

Në një debat në Bruksel për bashkëpunimin rajonal në Ballkan nga Qendra e Politikave Evropiane, Komisioneri Fule u shpreh i zhgënjyer nga mos-zbatimi i marrëveshjes të shkurtit mes Beogradit dhe Prishtinës, marrëveshje e cila i mundësoi Serbisë marrjen e statusit kandidat.

Pergatiti: Ernest Bunguri

Top Channel