Francë, Le Pen nuk do të votojë për asnjë kandidat

01/05/2012 15:15

Udhëheqësja e rrymës së Frontit Kombëtar në Francë, Marine Le Pen, nuk do të mbështesë asnjë midis Hollande dhe Sarkozy, në balotazhin që do të përcaktojë se cili do të drejtojë vendin në pesë vitet e ardhshme.

Përpara një turme përkrahësish në Paris, Le Pen u shpreh se ajo personalisht do të hedhë një votë të pavlefshme në kuti, ndërsa i bëri thirrje mbështetësve të saj që të ndjekin ndërgjegjen e tyre.

”Personalisht, kam bërë zgjedhjen time dhe do të hedh një votë të bardhë. Ne jemi shndërruar në qendrën e grevitetit të politikës franceze dhe Fronti Kombëtar ka propozuar një projekt emancipimi, i cili nuk mund të mos merret në konsideratë nga kushdo qoftë presidenti i ardhshëm”, deklaroi Le Pen.

Të dy kandidatët që diskutojnë mandatin në krye të “Elysse”, në zgjedhjet e 6 majit, janë përpjekur të joshin një pjesë sa më të madhe të mbëshetësve së ekstremit të djathtë, lëvizjes së tretë më të madhe në Francë.

Në raundin e parë, Le Pen fitoi 6,5 milionë vota ose rreth 18% të totalit, duke befasuar sondazhet që e shihnin në disa përqind më pak.

Pesë ditë përpara zgjedhjeve, sondazhet japin të gjitha në avantazh kandidatin socialist, Francois Hollande, që pritet të grumbullojë 54% të votave, përballë 46% të Sarkozy.

Top Channel