Të mërkurën pritet që trupi gjykues i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë të marrë vendim për rastin “Kleçka”, në procesin gjyqësor ndaj deputetit të Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj dhe tre bashkëluftëtarëve të tij, Nexhmi Krasniqi, Naser Shala dhe Naser Krasniqi.

Lajmin e raportoi të martën gazeta “Express”. Mbrojtja e të akuzuarve ka shprehur bindjen se vendimi i trupit gjykues do të jetë në favor të lirimit të katër të pandehurve, pasi sipas saj, nuk ka prova për fajësinë e tyre.

Ndaj katër të akuzuarve për krime lufte, i njohur si rasti “Kleçka”, trupi gjykues kishte vendosur kohë më parë që të vazhdonte gjykimin, me arsyetimin se ata gjatë kohës për të cilën akuzohen, kanë pasur pozita komanduese në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Pas vendimit për vazhdim të gjykimit ndaj tyre, prokurori dhe mbrojtja kishin vendosur që dëshmitë e mbetura të konsiderohen si të lexuara dhe në këtë mënyrë të shmanget një seancë të dytë e shqyrtimit gjyqësor.

Trupi gjykues, në fillim të procesit, i dha një goditje të rëndë shpresave të akuzës, duke përjashtuar nga lista e dëshmive të vlefshme atë të Agim Zogajt, i njohur ndryshe si dëshmitari “X”, mbi të cilin ishte bazuar një pjesë e mirë e provave të prokurorisë.

Sipas orarit të publikuar të seancave të EULEX-it, seanca e radhës do të mbahet ditën e mërkurë, në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, duke nisur nga ora 10:00.

Top Channel