Veri, prania e KFOR qetëson situatën

30/04/2012 17:25

Rritja e pranisë së KFOR-it në veri të Kosovës ka ndikuar në qetësimin e situatës, ka vlerësuar të hënën Komiteti i Sigurisë i komunës së Mitrovicës.

Gjatë takimit, ku merrnin pjesë përfaqësues të pushtetit lokal dhe organeve të sigurisë, nënkryetari i komunës, Riza Haziri ka deklaruar se rritja e pranisë së KFOR-it ka ndikuar pozitivisht tek banorët.

“Reagimi pas rritjes së pranisë së trupave të KFOR-it ka qenë i mirë. Është vërejtur se gjendja është çtensionuar dukshëm”, ka deklaruar Haziri, i cituar nga “RTK”.

Numri dy i komunës ka kërkuar që strukturat vendase dhe ndërkombëtare të sigurisë të jenë më të përkushtuara për ruajtjen e rendit, sidomos ditën e zgjedhjeve serbe, ku do të votohet edhe në Zveçan e Zubin Potok.

“Zgjedhjet lokale serbe nuk duhet të mbahen, prandaj duhen marrë masat e duhura në mënyrë që të mos ketë incidente”, ka thënë Haziri.

Një tjetër problem në veri vazhdojnë të jenë barrikadat serbe, të cilat sipas tij kanë vështirësuar tej mase jetesën e qytetarëve.

Situata në veri të Kosovës u tensionua pas vrasjes së shqiptarit Selver Haradinaj, me një bombë të vendosur në shtëpinë e tij, nga shpërthimi i të cilës mbetën të plagosur anëtarët e tjerë të familjes.

Top Channel