SHBA: Al Kaeda, hije e vetëvetes

30/04/2012 21:35

“Kur kanë kaluar më shumë se 10 vjet nga atentatet e 11 shtatorit, lidershipi i Al Kaedës është tashmë një hije e vetëvetes. Por do të ishte një gabim i rëndë të mendoje se kërcënimi është zhdukur”.

Vlerësimi në fjalë është bërë nga këshilltari për anti-terrorizmin i presidentit amerikan Barack Obama, John Brennan, në vigjilje të përvjetorit të vdekjes së Osama bin Laden.

“Fundi i Bin Laden nuk është fundi i Al Kaedës, megjithatë, Al Kaeda po e humbet betejën e saj, dhe keq madje”, ka nënvizuar këshilltari i presidentit.

Bin Laden, i shqetësuar para vrasjes

Ndërkohë, drejtori i Zbulimit Kombëtar në Shtetet e Bashkuara, James Clapper ka deklaruar për “Zërin e Amerikës” se pak para ekzekutimit të Bin Laden, udhëheqësi i organizatës terroriste ishte shumë i shqetësuar, se ajo kishte kaluar në plan të dyte, pas Pranverës Arabe.

Shumë ekspertë besojnë se bërthama e Al Kaedës e ka humbur rëndësinë. Pas një dekade informacionesh false dhe rrugësh pa krye, komandot specialë amerikanë të grupit Navy Seal kaluan fshehurazi nga Afganistani në Pakistan dhe vranë udhëheqësin e Al Kaedës në Abotabad, në orët e para të mëngjesit të 2 majit 2011.

Panetta: S’ka mrekulli që shkatërron Al Kaedën

“Nuk ka dyshim që Shtetet e Bashkuara janë më të sigurta me Bin Ladenin e vdekur, edhe pse nuk ka një mënyrë për të shkatërruar Al Kaedën”.

Deklarata është bërë nga sekretari amerikan i Mbrojtjes, Leon Panetta, i cili ka shtuar: “Nuk ekziston plumbi i mrekullisë”.  

Ndërkohë, FBI ka lajmëruar mbi mundësinë e atentateve terroriste ditën e përvjetorit të vrasjes së sheikut të terrorit.

Bin Laden, Pakistani: SHBA të kërkojnë falje

Pakistani dhe Shtetet e Bashkuara nuk kanë arritur të “arnojnë” marrëdhëniet e tyre të futura në krizë të thellë, pas operacionit të komandove amerikanë për të vrarë Bin Laden, për të cilin nuk u informuan autoritetet pakistaneze.

Gjithashtu, Islamabadi zyrtar është ende i acaruar për sulmin e NATO-s në nëntorin e kaluar, ku mbetën të vrarë 24 ushtarë pakistanezë.

I dërguari i SHBA për rajonin, Marc Grossman u nis të premten nga Islamabadi pa mundur të zhbllokojë ngërçin, duke thënë se Pakistani dëshiron që Amerika t’i kërkojë falje për dy ngjarjet në fjalë, si kusht për rigjenerimin e raporteve.

Bin Laden tha: “Mos e ndizni dritën”

“Mos e ndizni dritën”, kanë qenë fjalët e fundit të Osama bin Laden para se të ndëshkohej nga komandot amerikanë në rezidencën e tij në Abotabad të Pakistanit.

Kështu thuhet në librin e Peter Bergen, “Manhunt”, disa pjesë të të cilit janë publikuar para daljes në shitje nga mediat amerikane.

“Uashingtoni shqyrtoi mënyra të ndryshme për të kryer operacionin, përfshirë këtu bombat eksperimentale”, shkruan Bergen.

Libri zbulon gjithashtu sherrin që shpërtheu nëse presidenti Obama duhet të merrte pjesë në një darkë gjatë operacionit, apo ta ndiqte atë direkt.

Bind Laden, jo publikimit të fotove

Një gjykatës federal në Shtetet e Bashkuara refuzoi kërkesën e radhës për publikimin e fotove dhe videos së komandove amerikanë gjatë operacionit për kapjen e sheikut të terrorit.

Kërkesa ishte bërë nga njësia “Judicial Watch”, një grup ligjor konservator, i cili i kishte dërguar një letër Departamentit të Drejtësisë.

Në letrën në fjalë grupi kërkonte respektimin e Aktit të Lirisë së Informimit, që mundëson aksesin tek dokumentat e ruajtur nga qeveria dhe për rrjedhojë edhe fotot.

Top Channel