SHBA, 100 ushtarë për kapjen e Kony

30/04/2012 15:20

Pas gjuetisë në rrjet ka nisur gjuetia e vërtetë. Edhe Shtetet e Bashkuara kanë dërguar 100 berreta jeshile, siç njihen ndryshe forcat speciale, për të ndihmuar në arrestimin e Joseph Kony.

Bëhet fjalë për gjeneralin ugandez në krye të Ushtrisë së Rezistencës së Zotit, e ndodhur në qendër të polemikave pas videove të OJQ-së amerikane Invisible Children.

Një video që ka pushtuar web-in dhe ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik për krimet e rënda, mes të cilave përdorimi i fëmijëve-ushtarë, dhunime dhe genocid.

Ushtarët amerikanë kanë mbërritur në republikën e Afrikës qendrore për të bashkëpunuar me trupat afrikane, duke ofruar mbështetje dhe automjete për të lëvizur në terrene të vështira, si xhungla.

Objektivi i forcave speciale është arrestimi i gjeneralit, i kërkuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare Penale që prej vitit 2005 për krimet e rënda të sipërpërmendura.

Berretat jeshile po punojnë në katër baza të ndryshme të vendosura në zonën ku ushtria e përgjakshmë lëviz në grupe të vogla, duke hyrë me forcë dhe duke terrorizuar banorët e fshatrave.

“Nuk do të jemi domosdoshmërisht në terren, por do të ofrojmë mbështetje logjistrike, me shpresën se do të zgjidhim këtë problem”, ka thënë Gregory, një 29-vjeçar nga Teksasi, anëtar i kontigjentit amerikan.

Top Channel