Trupat besnike të Bosco Ntagandës, i kërkuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve, kanë pushtuar dy qytete në lindje të Republikës Demokratike të Kongos, në atë që është një tjetër episod i luftës civile që i ka marrë jetën mbi 7 milionë kongolezëve në dekadën e fundit.
Një reporter i BBC-së deklaroi se me mijëra persona janë duke u shpërngulur në mënyrë të dhunshme nga banesat e tyre si rrjedhojë e luftimeve të ashpra në afërsi të qytetit të Gomës.
Sipas disa dëshmitarëve pamorë, raportet e të cilëve mbeten të pakonfirmuara, ka edhe një numër të lartë viktimash midis civilëve, bilanc që mund të jetë në disa qindra të vdekur.
I njohur me pseudonimin “Terminatori”, gjeneral Ntaganda akuzohet për krime kundër njerëzimit, genocid dhe rekrutimin e fëmijëve ushtarë, në mënyrë të ngjashme si famëkeqi Joseph Kony në Uganda.
Siç konfirmon BBC, trupat qeveritare janë zmbrapsur ngë qytetet e Mushakës dhe Karubës, në rajonin e Gomës, të pasur me miniera dhe minerale të shumta.
Një pjesë e mirë e trupave të Ntagandës janë ushtarë qeveritarë, në mbi 500 trupa, të cilët dezertuan më parë gjatë javës, duke iu bashkuar rebelëve së bashku me armatimet e tyre.
Gjeneral Ntaganda ishte i dyti në hierarkinë e rebelëve kongolezë në luftën e viteve 2002-05 dhe mori drejtimin e lëvizjes pas arrestimit dhe dënimit me burgim të përjetshëm nga Haga i kryegjeneralit Thomas Lubanga, i cili rrëmbente fëmijë për t’i përdorur si ushtarë apo skllavë seksi.
Në vitin 2009, si pjesë e një marrëveshje armëpushimi, Ntaganda u përfshi në ushtrinë e Kongos dhe u ngrit në gradën e gjeneralit, por pasi Haga lëshoi një mandate arresti më parë gjatë vitit dhe presidenti Kabila kërkoi arrestimin e tij, “Terminatori” vendosi të rikthehej në kryengritje, duke shënuar kështu një kapitull të ri të një prej luftrave civile më të përgjakshme në historinë e njerëzimit.
Top Channel