Presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, lajmëroi për ngritjen e një padie ndaj një faqe interneti që publikoi një lajm, në të cilin shkruhej se kolonel Gaddafi kishte dhënë shuma të mëdha për fushatën e tij presidenciale në vitin 2007.
Të dielën, balotazhi i raundit të dytë të zgjedhjeve do të përcaktojë se cili midis Sarkozy apo Hollande do të jetë presidenti i ardhshëm i Francës.
Uebsajti i “Mediapart” publikoi një dokument të vitit 2006, të firmosur nga ish-kreu i Shërbimeve Inteligjente Libiane, Moussa Koussa, në të cilin propozohej transferimi i një shume prej 50 milionë eurosh për Sarkozy.
Sipas presidentit, dokumenti është i falsifikuar dhe ka si qëllim të vetëm që të dëmtojë shanset e tij për të fituar një mandat të dytë në krye të “Elysse”.
”Fushata zgjedhore nuk duhet të justifikojë gjithçka. Nëse ka një pjesë të shtypit që nuk dëshiron të më shohë në krye të shtetit, këtë mund ta kuptoj, por jo dokumentat e parapërgatitura dhe falsifikuara ndaj meje. Është një turp për ata që kanë kryer veprime të tilla dhe do të kërkoj që të përballen me forcën ndëshkuese të ligjit”, deklaroi Sarkozy.
Duke komentuar këtë akuzë, “Mediapart” u përgjigj: “Presidenti në largim është kundër pavarësisë së mediave dhe kjo tregohet qartë pas zbulimit tonë të aferave të tij në Libi”.
Spekulimet se Sarkozy mori shuma të rëndësishme për fushatën e tij në vitin 2007 nga ana e ish-diktatorit libian qarkullaun për herë të parë në mars 2011, kur një pretendim i tillë u ngrit nga djali i Gaddafit, Saif al-Islam.
Në atë kohë, Franca ishte një prej vendeve kryesore që mbështeste sulmet e NATO-s ndaj forcave qeveritare libiane, në konfliktin midis autoriteteve dhe rebelëve.
Top Channel