Pas arrestimit në Athinë të një prostitute ruse që është quajtur edhe si vajza që me buzëqeshjen e saj “mbillte” vdekjen, pasi kryente marrëdhënie seksuale me klientë, duke e ditur që ishte pozitive me AIDS, policia greke ka arrestuar edhe tre prostituta të tjera, dy prej të cilave janë greke edhe ato të infektuara me virusin vdekjeprurës.

Policia i ka arrestuar ato pas shoqërimit të më shumë se 24 prostitutave të tjera në polici dhe kryerjes së testeve mjekësore përkatëse. Madje njëra prej vajzave, ashtu si 21-vjecarja ruse, Tatiana Bukhtoyarova, ka deklaruar se kryente marrëdhënie seksuale pa marrë masa profilaktike megjithëse e dinte që ishte pozitive me SIDA.

Orët e fundit në gjithë Athinën është dhënë alarmi dhe me qindra persona kanë telefonuar të frikësuar në zyrat e Qendrës së Parandalimit të Sëmundjeve Infektive kur kanë parë fotografitë e vajzës ruse dhe kanë deklaruar se kanë kryer marrëdhënie seksuale me këtë vajzë, pa përdorur kontraceptivë.

Të paktën tre klientë të saj kanë rezultuar pozitivë me Sida, ndërsa pas arrestimit edhe të tre prostitutave të tjera, edhe ato mbartëse të virusit, shqetësimi është rritur pa masë, sidomos për përhapjen e sëmundjes edhe tek emigrantët e paligjshëm në qendër të Athinës.

Vetëm disa javë më parë Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se në Greqi janë rritur në mënyrë alarmante rastet me SIDA, si tek emigrantët e huaj, ashtu edhe tek qytetarët grekë, ndërsa ende organet e rendit nuk mund të kontrollojnë veprimtarinë e paligjshme të mbi 600 shtëpive publike që funksionojnë pa licensë në kryeqytet.

Në mbrëmjen e së hënës Ministri i Shëndetësisë, Adreas Loverdos ka deklaruar se brenda 24 orëve të ardhshme do të kontrollohen dhe do të kryhen të gjitha testet e nevojshme tek të gjitha shtëpitë publike në Greqi.

Top Channel