Dosja e “21 Janarit” në gjykatë

30/04/2012 00:00

Pas më shumë se një viti të vështirë hetimor, katër prokurorët e dosjes “21 Janari 2011” dorëzuan në gjykatë dosjen voluminoze për vrasjen e tre demonstruesve dhe plagosjen e tre personave të tjerë, ndërkohë që deklarohen ende në proçes hetimi dhe pa autor vrasja e demonstruesit Aleks Nika dhe plagosja e Artes Dybeli, Ilia Qeskos dhe Ilia Papës.

Ish-komandanti i Gardës së Republikës, gjeneral Ndrea Prendi, u dërgua në gjykatë me akuzën e vrasjes në rrethana të tjera cilësuese për vrasjen e demonstruesit Faik Myrtaj. Vrasja e tij, thotë prokuroria në kërkesën për gjykim, dyshohet se është kryer nga Prendi, nga arma e tij personale me numër P52796Z, referuar edhe raport-ekzaminimit të kryer nga laboratori i Byrosë Federale të Hetimit në funksion.

Prokuroria thotë në kërkesën për gjykim se, Garda e Republikës ka paralajmëruar disa herë me megafon për të mos u futur në ambientin rrethues të godinës dhe më pas kanë përdorur armët e zjarrit duke qëlluar në ajër.

Si pasojë e këtyre qitjeve, thotë prokuroria, gjetën vdekjen edhe Ziver Veizaj dhe Hekuran Deda, për vrasjen e të cilëve është nën akuzë zyrtarisht gardisti Agim Llupo, i vetmi i paraburgosur në këtë çështje.

Llupo, me detyrë shef i Shtabit të Njësisë Speciale, akuzohet për vrasje në rrethana të tjera cilësuese, si dhe për plagosjen e dy personave, Erald Bishës dhe gazetarit Fatos Mahmutaj. Prokuroria thekson se për demonstruesin tjetër që ndërroi jetë në Turqi, shtetasin Aleks Nika, hetimet vazhdojnë ende.

Zyrtarisht Prokuroria e Përgjithshme njofton se ndaj shtetasit Margarit Kume, me detyrë shofer i komandantit të Gardës së Republikës, u ngrit akuza për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës, konkretisht për të njëjtën sekuencë gjatë së cilës ai është përballur më herët gjatë masës së sigurisë nga “arresti shtëpiak” në “detyrim paraqitjeje”.

Ai do të gjykohet për akuzën e prokurorisë, që dyshon për ndryshim të tytës së armës së tij tip “Berreta”. Ndërkohë që ish-specialisti i IT-së në Këshillin e Ministrave do të gjykohet për dyshimet se është personi që ka fshirë pamjet filmike gjatë mesnatës, duke zbardhur dita pas 21 janarit.

Prokuroria e Përgjithshme njofton se ndaj të ashtuquajturit “grupi i zjarrit”, konkretisht ndaj nëntë efektivëve, shumica e të cilëve pjesëtarë të njësisë speciale të Gardës së Republikës, jane pushuar hetimet.

Personat për të cilët janë pushuar hetimet janë komandanti i njësisë numër 2, Dashamir Shehi, komandanti i njësisë speciale Alfred Ahmetcenaj, komandanti i njësisë Altin Kollçinaku, komandanti i njësisë Fatos Bushati, komandanti i njësisë Aleksandër Deda dhe efektivët e njësisë speciale Agron Malaj,  Gazmend Ahmetaj, Sadik Çela dhe Mark Nikolli.

Top Channel