Hipoteza e Johan Galtung, sociolog me emër në Norvegji, se Anders Behring Breivik mund të ketë patur lidhje me shërbimin sekret izraelit, Mossad, ka shkaktuar indinjatë dhe reagime në Tel Aviv.
Sociologu Galtung, drejtor i Qendrës Studimore për Paqe në Oslo tha se autori i masakrës që la të vrarë 77 të rinj një vit më parë, teorikisht mund të ketë patur lidhje me Mossad-in, ose më e keq akoma, ka qenë agjent i tij.
Hipotezën e tij, Galtung e mbron duke u mbështetur fort tek deklaratat e Breivik në procesin gjyqësor kundër tij, ku ai shpreh haptaz një urrejtje të madhe vetëm ndaj muslimanëve.
Kjo ka sjellë reagimin e Izraelit, që e ka cilësuar hipotezën e Galtung krejtësisht boshe e pavlerë. Tel Avivi tha se shërbimet e tij sekrete nuk kanë të bëjnë me ekstremistët dhe nuk stërviten për të urryer.
Kjo deklaratë e sociologut me emër në Norvegji pritet të komentohet gjatë, ashtu si deklarata e një drejtuesi të njohur radiofonik në vendin nordik, i cili disa ditë më parë, duke komentuar deklaratën e Breivik se ishte frymëzuar nga një “hero lufte serb” për sulmin e ndërmarrë, i cilësoi serbët si “kafshë”.
Top Channel