Analisti politik dhe sociologu serb, Milan Nikolic i sugjeroi klasës udhëheqëse të Serbisë që serbët e Kosovës t’i zhvendosë në tokat e lënë pas dore në Serbinë Lindore.

Nikolic deklaroi se lidershipi serb duhet të jetë i ndërgjegjshëm e të pranojë që Kosova është e humbur dhe se serbët e Kosovës duhet të zhvendosen në Serbi nëse nuk dëshirojnë që të jetojnë atje.

Agjencia serbe e lajmeve, B92 thotë se Nikolic u ka kërkuar politikanëve që të tregohen të sinqertë dhe të mos mbajnë në tension popullin me përralla patriotike dhe nacionaliste.

“Të gjithë serbët e Kosovës duhet të vijnë në Serbi nëse nuk duan që të jetojnë atje. Ne kemi sipërfaqe të mëdha toke të zbrazët në Serbinë Lindore, kemi sipërfaqe të mëdha bujqësore që mund të punohen, por që aktualisht janë të lëna pas dore”, deklaroi Nikolic për B92.

Analisti serb deklaroi se edhe ai vetë e ka origjinën nga Kosova dhe se i vjen keq për humbjen e saj, por shtoi se është koha që serbët të zgjohen e të pranojnë realitetin.

Top Channel