Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright ka deklaruar se vendimet që ka marrë gjatë kohës që ka qenë në këtë detyrë kanë qenë pozitive.

Në një intervistë për “Huffington Post”, me rastin e publikimit të librit të saj “Dimri i Pragës”, Albright është shprehur “e lumtur” për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë.

“Më vjen keq që nuk ndërhymë më shpejt në Jugosllavi. Megjithatë, mendoj se jam e lumtur për atë që ne bëmë në Kosovë. Ishte e vështirë të vendosnim nëse për të parandaluar spastrimin etnik duheshin angazhuar forcat ajrore, të cilat do të vrisnin edhe të pafajshëm. Këto vendime ishin të vështira për mua”, ka thënë Albright.

Ish-sekretarja e Shtetit, një nga figurat kryesore të politikës amerikane në vitet ’90, ka shtuar se gjatë luftës fliste në telefon çdo ditë me homologët e vendeve anëtare të NATO-s.

“Gjatë një bisede ministri i Jashtëm italian më pyeti: ‘Përse nuk ndaluan bombardimet për Pashkë?’. Ndërsa ministri gjerman u përgjigj: ‘Përse t’i ndërprisnim për shkak të një feste fetare, kur ata vrasin njerëz të një besimi tjetër’”, ka rrëfyer Albright.

“Mendoj se ishte një nga deklaratat më domethënëse përsa i përket identitetit të përbashkët dhe rëndësisë së marrjes së një vendimi moralisht të drejtë”, ka shtuar ajo.

Libri i Albright, “Dimri i Pragës”, rrefen përveç vendimeve të saj edhe kujtimet e luftës së viteve 1937-1948, historinë e të afërmve që u bënë pre e Holokaustit, si dhe atë të familjes së saj, që iu dësh të merrte vendime të vështira në kohë lufte.

Albright lindi në Pragë në vitin 1937 me emrin Marie Jana Korbel, para se të emigronte me familjen në Shtetet e Bashkuara, ku dhe u bë një nga figurat më historike të politikës amerikane.

Top Channel