Një gjykatë në Bagdad ngarkoi me disa akuza vrasjeje zëvendëspresidentin në arrati të Irakut, Tariq al-Hashemi.
Midis vrasjeve për të cilat ai do të gjykohet, janë edhe ato të gjashtë gjykatësve. Aktualisht, al-Hashemi është i strehuar në një vend të panjohur në rajonet me shumicë kurde në veri të vendit.
Politikani më i lartë sunit në një shtet ku shiitët dominojnë, u arratis nga Bagdadi në dhjetor 2011, pas spekulimeve se ai ishte i përfshirë në disa skuadra ekzekutimesh.
Në një komunikatë të mëparshme, al-Hashemi akuzoi kryeministrin Nouri Maliki për inkurajim të sektarizmit.
“Ka shumë krime për të cilat Hashemi dhe truprojet e tij akuzohen. Në të gjitha akuzat, ka dëshmitarë të shumtë pamorë dhe provat janë të forta. Besohet se ai është i përfshirë në vrasjen e gjashtë gjykatësve, shumica nga Bagdadi”, deklaroi Abdul-Sattar al-Birqdar, një zëdhënës i gjykatës.
Në lidhje me këto dëshmi, al-Hashemi është shprehur se dëshmitarët e ngritur kundër tij janë torturuar dhe kërcënuar nga pushteti.
Top Channel