Sarkozy: Sondazhet gabohen, jam favorit!

29/04/2012 09:10

Presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, shprehu besim në garën e tij për një mandat të dytë në krye të “Elysse”, ndërsa pretendoi se sondazhet që e shohin të pafavorizuar gabohen.

Në një intervistë për “Parisien Dimanche”, Sarkozy vlerësoi se: “Sondazhet janë të gabuara sepse nuk marrin në konsideratë mobilizimin masiv të popullsisë. Unë pres një pjesëmarrje rekord në raundin e dytë, pasi po konstatoj një nivel unik ndjeshmërie të popullsisë ndaj politikës. Për këtë arsye, kam një besim të patundur tek rizgjedhja ime, pasi francezët e kanë kuptuar se çfarë është më e mira për ta”.

57-vjeçari, edhe një herë më shumë përsëriti qëndrimin e tij për të mos përkrahur një koalicion me ekstremin e djathtë, në rast fitoreje. ”Mazhoranca dhe qeveria e ardhshme do të formohet nga bashkëpunimi i së djathtës republikane me forcat e qendrës”, deklaroi Sarkozy.

Aktualisht, sondazhet e japin Hollande 8% përpara në zgjedhjet e raundit të dytë, por numri i të pavendosurve dhe paqartësia se për cilin do të votojnë 18% e elektorarit që mbështeti ekstremin e djathtë në raundin e parë e bëjnë garën që të jetë ende e hapur.

Nëse do të fitojë, Hollande do të shndërrohet në presidentin e parë të majtë të Francës që prej Francois Miterrand, që drejtoi vendin në vitet 1981-95.

Top Channel