Kina arreston familjarët e aktivistit të arratisur

29/04/2012 10:45

Autorietet kineze kanë filluar të arrestojnë të afërmit dhe bashkëpunëtorët e aktivistit Chen Guangcheng, i cili besohet se është strehuar në ambasadën amerikane në Pekin pasi u arratis nga arresti i shtëpisë.

Disa persona që besohet se ndihmuan aktivistin e verbër që të largohej janë zhdukur ose arrestuar, ndërsa një aktivist tjetër për demokracinë, Hu Jia, është marrë në pyetje.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe grupet të tjera për të drejtat e njeriut kanë shprehur prej kohësh shqetësimin e tyre në lidhje me mënyrën se si është trajtuar Chen dhe familja e tij.

Pasi vuajti një dënim 4-vjeçar pasi denoncoi skandalin e disa zyrtartëve që detyronin gra të reja të sterilizoheshin ose abortonin, Chen u vendos në 2010-n në arrest shtëpie, ndërsa e bija e tij pengohej të ndiqte shkollën.

Më parë, vetë Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, kishte shprehur mbështetje për Chen dhe kishte kërkuar lirimin e tij të menjëhershëm. Çështja e tij pritej të bisedohej në vizitën e javës së ardhshme në Kinë të Sekretares, por tashmë negociatave për lirimin duket se do t’ia lërë vendin tensioni dypalësh.

Një funksionar i lartë u shpreh në anonimat në një media kineze se nëse është e vërtetë që SHBA po strehon Guangcheng, duhet ta dorëzojë atë menjëherë tek autoritetet pasi kjo është një çështje e brendshme e Kinës.

Uashingtoni, aktualisht nuk ka bërë asnjë koment zyrtar në lidhje me vendndodhjen e aktivistit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA