Irlandë, frikë nga IRA, zbulohen 270 kg eksploziv

29/04/2012 09:40

Policia irlandezoveriore zbuloi 270 kilogramë eksploziv në një makinë të braktisur në kufirin me Irlandën, u konfirmua mëngjesin e së dielës.

Në një komunikatë, mësohej se ndonëse sinjalizimi ishte marrë ditën e premte, autoritetet nuk bënë publik lajmin gjatë çaktivizimit të bombës për të mos krijuar panik.

Dy vjet më parë, një autobombë e mbushur me një sasi dy herë më të vogël eksplozivi shpërtheu në një zonë të izoluar të qytetit të Njurit, duke shkaktuar dëme të rënda materiale.

IRA (Irish Republican Army), e konsideruar një organizatë terroriste nga Britania dhe shumë vende të tjera në botë, mori atëherë përsipër autorësinë dhe kjo bën që shtypi irlandez të gjejë një lidhje të qartë mes dy ngjarjeve.

IRA është një organziatë që bashkon radikalë irlandezë, të cilët kërkojnë largimin e Irlandës së Veriut nga sovraniteti britanik dhe bashkimin e ishullit në një shtet të vetëm.

”Është një fat që arritëm të lokalizojmë bombën në kohë, pasi në qoftë se ajo do të kishte shpërthyer, do të kishte shkaktuar dëme me të vërtetë serioze”, deklaroi një zëdhënës i policisë.

”Duke përllogaritur forcën e saj, me shumë gjasa, çdo njeri që do të ishte gjendur në një rreze prej 50 metrash në momentin e shpërthimit do të kishte vdekur dhe çdo njeri në një rreze prej 100 metrash do të ishte plagosur rëndë”, shtoi ai.

Top Channel