Në mbrëmjen e së shtunës së “Big Brother”, marrëdhënia midis Françeskës dhe Ermalit mori tone familjare, pasi babai i saj u njoh me “dhëndrin”, duke dhënë aprovimin e tij.
Pasi pati mundësinë ta takonte brenda shtëpisë, Ermali i deklaroi të atit të Françeskës se ishte i dashuruar pas vajzës së tij, duke marrë si përgjigje komplimenta dhe mbështetje për lidhjen e tyre.
Ndërkohë, gjatë javës, Genta duket se ka kuptuar se çfarë ka ndodhur realisht, pas takimit me ish-të dashurin e saj, Rubensin, në lidhje me fotografitë e saj intime të publikuara nëpër gazeta.
”Realisht, të shtunën e parë isha nën emocione dhe nuk e kuptova shumë mirë se për çfarë bëhej fjalë. Ndërsa kur e mendova, 2-3 ditë më vonë kam qenë në gjendje shumë të keqe dhe kam marrë disa vendime me veten time”, deklaroi Genta.
Grupi Liam-Gerta-Arbër dhe Dritan ka gjasa që të mbetet me një anëtar më pak, pasi Arbri ka patur hatërmbetje ndaj fshehjes së cigareve që i bënë gjatë javës. Por, një arsye më shumë, mund të jetë edhe fakti se Gerta, ndaj së cilës ai ka shprehur interes, duket më tepër e lidhur me Liamin.
Përsa i përket të eliminuarve, ishte Grandiola ajo që u detyrua të braktisë shtëpinë, së bashku me ëndrrën për të fituar 100 milionë lekë.
”Ola që ishte brenda u tregua shumë e ndrojtur dhe për këtë më vjen realisht keq pasi nuk arrita t’i tregoja publikut edhe atë anën time tjetër, jo vetëm atë serioze, vajzën që nuk do të zihet dhe shmang debatet. Ola e vërtetë është një vajzë që bën batura, që qesh. Mbase, në rastin tim, ndikoi për keq fakti se hyra më vonë se të tjerët në shtëpi dhe më penalizoi fakti që jetoj 20 vjet në Itali, pasi më vijnë në mendje gjërat italisht, e duhet t’i ktheja në shqip”, deklaroi Grandiola, e cila e pyetur nëse kishte diçka për të thënë pas daljes së saj, i dedikoi një sharje në italisht Liamit. “Një njeri që hedh gurin dhe fsheh dorën, pa asnjë vlerë”, komentoi e eliminuara.
Duke patur parasysh skemat që bënë banorët gjatë javës në lidhje me kandidimet, “Big Brother” ndërroi kartat mbi tavolinë, duke ndryshuar sistemin klasik të votimit. Fillimisht duke i dhënë mundësi publikut që të zgjidhte të preferuarit, që rezultuan Liami, Françeska, Arbëri dhe Ermali, e më pas duke i dhënë mundësi banorëve të vetëm një kandidature.
Në rrezik eliminimi në javën e ardhshme mbeten Graciano dhe Genta.
Top Channel