“S’ka sulm të Izraelit ndaj Iranit”

28/04/2012 18:25

Ish-kreu i shërbimeve sekrete izraelite, Yuval Diskin akuzoi udhëheqësit politikë dhe ushtarakë izraelitë për “keqinformim” të publikut me deklaratat e tyre për mundësinë e një sulmi ushtarak kundër Iranit.

Diskin thotë se në të kundërtën e asaj që thuhet në publik nga kryeministri Benjamin Netanjahu, Ministri i Mbrojtjes Ehud Barak apo gjeneralë të ushtrisë, një sulm mbi Iranin për të ndalur programin e tij bërthamor, s’do të bënte gjë tjetër përvecse do të përshpejtonte Teheranin në procesin ndërtimit të bombës bërthamore.

Pak ditë më parë ishte komandanti i përgjithshëm i forcave ushtarake izraelite (IDF), gjenerali Benny Gantz ai që deklaroi se ushtria izraelite është e gatshme të ndërmarrë një sulm ushtarak kundër Iranit, nëse programi bërthamor i këtij të fundit përbën kërcënim për ekzistencën e vetë Izraelit.

Edhe Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu dhe Ministri i Mbrojtjes, 
Ehud Barak i kanë mëshuar fort mundësisë së ndërhyrjes ushtarake në
Iran. Pikërisht për këtë, Netanjahu ka kërkuar edhe mbështetjen e
vendeve perëndimore, vecanërisht Shteteve të Bashkuara.

“Izraeli shpreson që një gjë e tillë të mos ndodhë kurrë, por nëse ndodh, detyrohemi të përdorim forcën për të ndalur këto projekte. Mendoj që mundësia për sulm ushtarak ndaj Iranit është reale”, tha gjenerali Gantz për mediat izraelite.

Zërat për një sulm izraelit kundër Iranit qarkullojnë që prej muajve të fundit të vitit të kaluar. Ishte gazeta britanike “The Guardian” ajo që publikoi një analizë të gjatë për mundësinë e një sulmi ajror izraelit kundër centraleve bërthamore iraniane, ku pasqyroheshin edhe disa informacione të marra, sipas britanikes, nga burime të sigurta në Tel Aviv.

Top Channel