Vërshimet e ujit kanë përmbytur gjithçka dhe kanë shkaktuar edhe vitima. Pjestarët e Foracve të Sigurisë së Kosovës vijnë me shpejtësi dhe pas pak minutash fillojnë operacionin e kërkim-shpëtimit, derisa familjarët që janë jashtë rrezikut për jetën janë tepër të shqetësuar për të afërmit e tyre.
Zhytësitë gjejnë viktimën, ndërsa të tjerët largojnë nga rreziku ata që mbeten gjallë.
Kjo është një situatë e improvizuar përmes së cilës Forca e Sigurisë së Kosovës paraqet aftësitë e saj për të reaguar në situatë krizash, e gjithë kjo e realizuar në prezencë të faktorëve të ndryshëm ushtarak.
Për ministrin e FSK-së, Agim Çekun, gjithë kjo tregon se FSK është e gatshme të marrë përgjegjësi edhe për të ardhmen.
Paraqitja e aftësive të FSK-së, u vlerësua edhe nga përfaqësues të NATO-s në Kosovë.
“Me këtë kamp fushor që po përfundon sot, Forca e Sigurisë së Kosovës po konfirmon kapacitetet e saj, duke demonstruar se FSK është institucioni më me rëndësi në Kosovë, duke demonstruar se sa është në gjendje të ndihmojë popullatën e vet”, tha Gjeneral, Françesko Diella, Shef i ekipit këshillues ushtarak të NATO-s në Kosovë.
Në anën tjetër gjatë së premtes në këtë ushtrim fushor sipas Ministrisë për FSK-në ishte paraparë të merrnin pjesë edhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, Kryeministri, Hashim Thaçi, Komandanti i KFOR-it, Erhard Dreës, por kjo nuk ndodhi.
Nga zyra për informim e Presidentes kanë thënë se nuk ka pasur paralajmërim nga Presidenca për një vizitë të tillë të Presidentes Jahjaga.
Sidoqoftë, ushtrimi fushor “Shqiponja 1” është mbajtur për disa ditë, ku kanë marrë pjesë më shumë se 1 mijë e 300 pjestarë të FSK-së.
Top Channel