Publicisti, përkthyesi dhe mendimtari i njohur, Ardian Klosi, u gjet i vetvarur në orët e vona të së enjtes në banesën e tij në Tiranë.

Publicisti i njohur Ardian Klosi i ka dhënë fund jetës në mënyrë tragjike mbrëmjen e së enjtes. Shumë libra mbajnë autorësinë e tij, krahas pjesëmarrjes në shumë beteja publike, si ato për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në çdo cep të Shqipërisë.

Hidhërimi ndarjes së tij nga jeta, është i lexueshëm në fytyrat e miqve Artan Lame dhe Artan Shkreli, me të cilët ngriti zërin për shumë çështje shqetësuese, duke sensibilizuar shoqërinë shqiptare.

“Klosi ishte nga ato mendje të ndritura, nga ata kalorësit e vetmuar, që mbetën shumë qibarë në mes të errësirës, të çmendurisë kolektive që ka kapur këtë vend. Mundohen të ndriçojnë me fjalën e tyre, me letrat e tyre, sepse ky është roli i tyre në këtë jetë. Si gjithë mendjet e ndriçuara, kur shohin se nuk ia dalin dot më të luajnë rolin dhe funksionin e tyre, vendosin të largohen dhe prapë siç janë mendjet e ndriçuara, që nuk kanë dimension gjeografik, kur vendosin të ikin, ikin për fare. Kjo është edhe ajo që bëri Klosi. Mbrapa, në letrat e historisë nesër do të mbetet çmenduria kolektive e këtij vendi, errësira që e ka mbuluar dhe do të mbetet dëshira jonë për të medituar, rreth fjalëve shkrimeve dhe kujtesës së Klosit, të cilat kërkojnë impnejimin e secilit për t’i kuptuar. Le ta bëjmë këtë gjë dhe do të shohim se sa shumë kemi humbur”, tha Lame.

“Ishte një personazh jo i zakonshëm, një njeri jo i zakonshëm, ishte një shok. Kur ne e kemi parasysh paradigmën e shokut, Ardian Klosi ishte një i tillë. Ajo për të cilën të afronte te Dani (kështu e quanim ne) dhe të krijonte atë ndjenjën, nga e cila nuk zgjidheshe dot kurrë, gjithë jetën po ta kishe pasur mik atë njeri, ishte lufta dhe kërkimi i së vërtetës. Ky ishte thelbi i gjithë jetës së Ardian Klosit, që kur u bë i njohur për shqiptarët edhe jashtë rrethit shoqëror, deri ditën kur ai mbylli sytë dhe ra në atë humnerën, ku fatalisht nuk duhet të binte. Ardiani ishte një figurë që do t’i mungojë shumë gjatë shoqërisë shqiptare, ishte një bashkim midis shqiptarit të ardhshëm dhe rilindasit të djeshëm. Nuk besoj që njerëz si Ardian Klosi, ose të paktën, ndër ata që njoh unë, i kalojnë gishtat e duarve”, thotë Shkreli.

Presidenti i Republikës Bamir Topi, në një telegram ngushëllimi dërguar familjes thotë se “ është një humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme për ju – familjen e të afërmit, por edhe për mbarë shoqërinë tonë, e cila sot më tepër se kurrë ka nevojë për intelektualë të mirëfilltë dhe zëra të pavarur e të guximshëm, në të mirë të qytetarëve shqiptarë”.

Kryeministri Sali Berisha e quan ndarjen nga jeta të Ardian Klosit si të pakompensueshme për familjen , njëkohësisht edhe një humbje e madhe për letrat, publicistikën dhe shoqërinë civile shqiptare, të cilat humbasin një personalitet të shquar të tyre.

Ndërsa kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ndarjen nga jeta të Ardian Klosit e ka cilësuar si një lajm tejet të trishtë për të gjithë shqiptarët kudo që janë.

Ndërsa lideri opozitës Edi Rama një mik i kahershëm i të ndjerit Klosi, ia ka kushtuar faqen e parë të blogut të tij duke vendosur një foto me mbishkrimin: “Iku natën një mik i shtrenjtë dhe njeri i çmuar i këtij vendi, që refuzoi të bashkëjetojë me vulgaritetin”.

”Partia Socialiste ndjen dhimbje të thellë për humbjen tragjike të këtij njeriu mendjendritur e shqiptari të mirë. Kjo është një humbje e madhe për botën shqiptare të fjalës së lirë, për shoqërinë civile dhe për kulturën bashkëkohore të kombit tonë. Ardian Klosi krijoi një vlerë të çmuar me shembullin e vet, të intelektualit të angazhuar në përpjekjet për demokraci e drejtësi shoqërore”, thuhet në telegramin e opozitës.

Kush ishte Ardian Klosi?

Ardian Klosi ishte publicist, shkrimtar, përkthyes, aktivist i shoqërisë civile dhe mendimtar i njohur. Klosi lindi në vitin 1957 dhe u diplomua në vitin 1981 në degën Gjuhë-Letërsi në Universitetin e Tiranës.

Më pas, në vitin 1990 mbrojti me sukses studimet doktorale. Në vitet e para të demokracisë, në 1993, ai u transferua ne Gjermani ku jetoi pesë vite. Atje Klosi u njoh me fotografen Jutta Benzenberg e cila do të bëhej edhe bashkëshortja e tij. Nga kjo martesë Klosi pati dy vajza.

Pas 1998-s, Klosi u rikthye në atdhe, dhe nga ajo kohë u angazhua fuqishëm në aktivitetet e shoqërisë civile, në botën e letrave dhe të mendimit. Vitet e fundit të jetës publicisti Klosi u shfaq edhe si ambientalist. Ai dha një mbështetje të madhe kauzave të shoqërisë civile edhe sa i përket mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, ku vecojmë aktivizimin e zotit Klosi kundër shembjes së piramidës.

Veprimtaria e Ardian Klosit është e lidhur vecanërisht me librat. Krijimtaria e tij është shumë e pasur dhe midis librave të ndryshëm, veçohen “Refleksione”, “Shqipëria, zgjim i dhunshëm”, “Quo Vadis Shqipëri” dhe “Shqipëria ç’mund të jetë”. Ai gjithashtu publikoi vepra në gjermanisht, si “Mbijetesë Shqiptare” dhe botoi fjalorin gjermanisht-shqip, në bashkëpunim me disa autorë të tjerë, në vitin 1997.

Një kontribut të madh Klosi ka dhënë edhe në fushën e përkthimit. Për punën e tij në këtë aspekt Klosi është vlerësuar disa herë me cmime si përkthyesi më i mirë.  Në vitin 2008 me përkthimin e veprës “Skënderbeu” të studiuesit Oliver Jens Schmitt, Ardian Klosi solli një imazh të ri të Heroit Kombëtar dhe ngjalli shumë debate në opinionin publik.

Në vitet e fundit, Klosi kishte formuar një profil të njohur si një opinionist dhe mendimtar i temave politike dhe sociale në vend, duke u shndërrua në një figurë mediatike të njohur për publikun shqiptar.

Vitet e fundit zoti Klosi pati një rol kyç në veprimet e shoqërisë civile, si ato për pengimin e prishjes së piramidës dhe kontestimin e ligjit të ri për importin e mbetjeve. Muajt e fundit Ardian Klosi ishte tërhequr nga jeta publike pasi ishte duke kaluar një periudhë të vështirë.
 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA