Në Kosovë, aktivistë nga “Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut” dhe nga “Nisma Ime”, në Ditën kombëtare të personave të pagjetur kanë vendosur 1781 pikëpyetje në sheshin “Nëna Tereza” në Prishtinë.

Ata kanë reaguar kështu ndaj moszbardhjes së fatit të këtyre personave që ende figurojnë si të pagjetur që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë.

Liridon Zeka, aktivist i organizatës “Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut”, ka thënë se qëllimi i këtij aktiviteti është që të shtojnë presionin tek institucionet përkatëse që të zbardhin fatin e të gjithë personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Që nga përfundimi i luftës në Kosovë në vitin 1999, fati i 1781 njerëzve të zhdukur gjatë luftës ende nuk dihet, edhe pse nga organizata të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare kanë ushtruar presion tek institucionet e Beogradit, por rezultatet deri tani kanë qenë të pakta.

Sidoqoftë, shënimi i kësaj dite bëhet për faktin se në këtë datë, më 27 prill të vitit 1999, në fshatin Mejë të komunës së Gjakovës, forcat  ushtarake dhe policore serbe patën vrarë dhe zhdukur 377 civilë shqiptarë të moshës nga 15 deri në 75 vjeç.

Top Channel