Kinë, mister rreth arratisjes së disidentit të verbër

27/04/2012 10:00

Një prej disidentëve më të njohur në Kinë, Chen Guangcheng, është arratisur nga arresti i shtëpisë dhe ka lëshuar një video që i adresohet kryeministrit Wen Jiabao.

I ruajtur 24 orë nga policë, është e paqartë se si Guangcheng mundi të largohej, për më tepër duke patur parasysh se ai është i verbër.

Në videon drejtuar kryeministrit përfshihet edhe kërkesa për të hetuar atë që ai e quan si rrahjen brutale të antarëve të tij të familjes.

Është e paqartë vendondodhja aktuale e Chen, ndonëse ekzistojnë disa raportime të pakonfirmuara se ai ndodhet në Pekin.

Chen ishte vendosur në arrest shtëpie pasi lirimit nga katër vjet burgim, në vitin 2010. Autoritetet kineze janë përballur me kritika të ashpra ndërkombëtare për mënyrën se si e kishin trajtuar më parë.

Midis ndëshkimeve abuzive më të cilat disidenti është përballur, ishte edhe ai i ndalimit të vizitave nga të afërmit si dhe pengimi i vajzës së tij të vetme për të shkuar në shkollë.

Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, në mënyrë të përsëritur ka bërë apel për lirimin e tij dhe kishte vendosur çështjen e Chen në axhendë edhe për vizitën që do të realizojë në Pekin gjatë javës së ardhshme.

Autoritetet kineze nuk kanë komentuar ende rreth kësaj ngjarje. Guangcheng, i konsideruar gjerësisht si një “avokat i popullit”, denoncoi abuzimet e më dhjetëra zyrtarëve në krahinën e Shandongut, ku duke shfrytëzuar politikën e kufizimit të lindjeve në një fëmijë, mbi 7 mijë gra janë detyruar në mënyrë abuzive të abortojnë apo të sterilizohen.

Top Channel