Francë, Hollande-Sarkozy, akuza në televizion

27/04/2012 09:10

Dy kandidatët për president në Francë, Francois Hollande dhe Nicolas Sarkozy, u përballën në një betejë televizive dhjetë ditë përpara mbajtjes së votimeve që do të përcaktojnë se kush do të fitojë mandatin e ri pesë-vjeçar në krye të “Elysse”.

Secili prej tyre, iu përgjigj një sërë pyetjesh, të fokusurara tek ekonomia, por edhe politikat e brendshme dhe ajo e jashtme.

Hollande, i cili u rendit i pari në raundin e parë me më shumë se 28% të preferencave të zgjedhësve, theksoi se Franca “ka nevojë për rritje dhe jo më shumë masa kursimi”.

Kësaj deklarate, presidenti në fuqi, Sarkozy, i cili në raundin e parë u rendit i dyti me 27%, iu kundërpërgjigj duke thënë se “askush nuk mund të mendojë se rritja do të realizohet nëpërmjet shpenzimit me dorë të lirë”.

Sarkozy premtoi që do të reduktojë defiçitin, duke e vendosur nën normën e 3% të PBB-së në vit, duke e ulur deri në zero në 2016-n. Kësaj deklarate, socialisti Hollande iu përgjigj duke thënë se “Sarkozy kishte pesë vjet kohë për të vendosur kontroll mbi bilancet, por nuk e bëri këtë. Nuk mund të ketë asnjë të ardhme nëse vendi nuk rikthehet tek rritja dhe theksi duhet vendosur pikërishrt tek politikat që do të mundësojnë rritjen dhe jo ato që bazohen tek shkurtimet”.

Franca e Sarkozy dhe Gjermania e Merkel kanë punuar së bashku ngushtësisht për traktatin e ri fiskal të Europës, që vendos norma dhe sanksione më të ashpra ndaj të gjithë vendeve, por Hollande është shprehur kundër këtij projekti, të cilin është shprehur se do ta rishikojë.

I pyetur për presionin e Gjermanisë dhe Merkel për të çuar përpara këtë marrëveshje, Hollande theksoi se “nuk i takon Berlinit që të vendosë për fatet e të gjithë Europës”.

Gjatë intervistës, socialisti i “përplasi” presidentit shifrat mujore të papunësisë, që tregojnë se Franca përjetoi për të 11 muaj me radhë rritje të papunësisë, duke u përballuar tashmë me një “armatë” të papunësh prej 18%.

Pensionet, taksat dhe edukimi ishin të tjera tema debati. Hollande premtoi lehtësim të taksave për klasën e mesme dhe atë të varfër, si dhe krijimin e 60 mijë vendeve të reja të punës në arsim, ndërsa Sarkozy e sulmoi duke thënë se shumë prej premtimeve të tij janë të pazbatueshme dhe kanë vetëm qëllime elektorale.

Aktualisht, sondazhet e japin Hollande 8% përpara në zgjedhjet e raundit të dytë, por numri i të pavendosurve dhe paqartësia se për cilin do të votojnë 18% e elektorarit që mbështeti ekstremin e djathtë në raundin e parë e bëjnë garën që të jetë ende e hapur.

Nëse do të fitojë, Hollande do të shndërrohet në presidentin e parë të majtë të Francës që prej Francois Miterrand, që drejtoi vendin në vitet 1981-95.

Top Channel