Turqi, arrestimet e ushtarakëve, opozita kundër

26/04/2012 17:50

Autoritetet turke kanë arrestuar 39 persona, pjesa më e madhe e të cilëve ushtarakë dhe ish-ushtarakë, nën akuzën e tentativës së grushtit të shtetit.

Akuza lidhet me vitin 1997, vit kur sipas hetuesve, ushtarakët e arrestuar u përpoqën të organizojnë një grusht shteti për të rrëzuar qeverinë e ardhur në pushtet me votën popullore.

Pjesa më e madhe e të arrestuarve janë ushtarakë dhe mes tyre ndodhet edhe  ish-shefi i shtabit të përgjithshëm, Cevik Bir dhe gjenerali në pension, Erol Ozkasnak, por nuk mungojnë edhe figura të tjera joushtarake, mes tyre dhe politikanë.

Partia e kryeministrit turk, Recep Taip Erdogan dhe ushtarakët asnjëherë nuk kanë patur marrëdhënie të mira bashkë. Të dyja palët e shohin njëri-tjetrën me mosbesim. Erdogan dhe qeveria e tij akuzojnë ushtarakët për tentativë grushti shteti, ndërkohë që këta të fundit akuzojnë Erdogan dhe partinë e tij se po kërkon të heqë laicitetin nga shteti duke e shndërruar republikën në një republikë islamike.

Në krah të ushtarakëve ndodhet edhe opozita turke e cila deklaron se fushata më e fundit e arrestimeve të ndërmarra nga autoritetet është një “gjueti shtrigash” dhe se nuk ka patur kurrë tentativë për grusht shteti nga ana e ushtarakëve.

Ushtarakët nuk mund të hetohesin nga gjykatat civile turke deri në vitin 2010, kjo pasi Kushtetuta e vendosur nga vetë ata në vitin 1982, pas grushtit të shtetit të asaj kohe, e ndalonte një gjë të tillë. Por një referendum i mbajtur më 12 shtator të 2010-s, ku Erdogan i kërkoi popullit miratimin e disa ndryshimeve në Kushtetutë, hoqi “mburojën” e ushtarakëve e tashmë autoritetet civile kanë dorë të lirë hetimi ndaj tyre.

Fill pas këtyre ndryshimeve, në vend nisi një valë arrestimesh dhe numri i ushtarakëve të akuzuar për grusht shteti të mbetur në tentativë shkon në dhjetra.

Top Channel