Përmbajtja e Planit të Ahtisaarit nuk njihet mirë nga serbët në veri të Kosovës, ndërsa kur njerëzit informohen ata orientohen tek elementet që atyre u duken pozitive.
Ose, kur njerëzit nuk janë të informuar, ata priren të besojnë se Plani i Ahtisaarit nënkupton me të keqen për ta, për shembull, se atyre do t’u ndalohet të flasin gjuhën e tyre dhe se komuniteti i tyre do të shkatërrohet.
Këto janë vetëm dy nga konkluzionet tematike që janë nxjerrë nga Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO) në Mitrovicë, e ndihmuar nga ambasada e Zvicrrës, pas një hulumtimi të realizuar me serbët e pjesës veriore të Kosovës.
“Mysafirë në shtëpinë tonë: Propozimi Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit dhe komuniteti serb në Kosovën veriore”, është emërtuar ky raport.
Raporti në fjalë prezanton gjetjet nga më shumë se 200 orë diskutimesh të thelluara me mbi 100 serbë nga Kosova veriore lidhur me planin gjithpërfshirës për statusin (PGJS) apo siç njihet si Plani i Ahtisaarit.
Në njërin nga kapitujt e hulumtimit thuhet se “Plani i Ahtisaarit as nuk është lexuar dhe as nuk është kuptuar”. Hulumtimi sasior i mëparshëm nga ICO-ja ka gjetur se 80% e serbëve të Kosovës nuk e kanë lexuar këtë plan.
Plani i Ahtisaarit, po ashtu thuhet se është keqkuptuar. “Keqkuptimet e shprehura nga të anketuarit”, thuhet në raport, “reflektojnë shprehimisht frikën nga asimilimi”. “Më e shprehura në mesin e tyre është frika se plani e vë themelin për Shqipërinë e Madhe, dhe që ata do të detyroheshin të përdorin vetëm gjuhën shqipe”.
Por, në raport sqarohet se ky plan nuk e parasheh, e aq më pak nuk e themelon një universitet shqiptar në veri, siç është menduar nga një i anketuar dhe po ashtu, nuk është qëllimi i planit, që ta shkatërrojë komunitetin serb, siç kanë thënë pjesëmarrësit tjerë.
Në të vërtetë dispozitat e planit për komunitetin serb e krijojnë një mur mbrojtës kundër realizimit të këtyre shqetësimeve, sqaron raporti.
Raporti jep edhe rekomandime për Qeverinë e Kosovës se çfarë duhet të bëjë. Qeveria e Kosovës duhet të porosisë një garë me tender ndërkombëtar për të dizenjuar një fushatë të informimit publik lidhur me planin e Ahtisaarit dhe ta zbatojë atë në letër dhe frymë, thuhet në raport.
Top Channel