Siria ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, por disa përfaqësues të opozitës siriane në Kosovë premtuan se me rrëzimin e pushtetit të Bashar al-Assad, shumë shpejt do të mund të njihet edhe pavarësia e Kosovës.

Një deklarim të tillë e ka bërë nga Prishtina, Amar Abduhamid, aktivist pro demokracisë, që udhëhiqte edhe një delegacion të kryengritjes siriane, pas një takimi me shefin e diplomacisë kosovare, Enver Hoxhaj.

“Unë mendoj se pas takimit të sotëm dhe kësaj vizite, si dhe duke u bazuar në bashkëpunimin tonë, i cili vetëm ka filluar, njohja e Kosovës do të jetë numër një në axhendën tonë. Natyrisht, nuk mund të flasim në emër të popullit sirian sepse ne jemi këshilltarë të grupeve të ndryshme politike në terren, por realiteti është se Kosova është në një pozicion të mirë që të përkrahet nga populli sirian”, deklaroi Abduhamid.

Diplomati, i cili në vitin 2005 është detyruar të mërgojë në SHBA për shkak të aktivitetit të tij kundër regjimit sirian, tha se është shumë inkurajues qëndrimi i Kosovës, i një shteti të pavarur prej vetëm pesë vitesh që po rritet, po ndërtohet dhe po stabilizohet.

Nga ana tjetër, Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, tha se Kosova në mënyra të ndryshme do ta ndihmojë Sirinë në rindërtimin e një shteti demokratik.

“Në këtë drejtim, ne patëm një takim dhe biseduam për mënyrat se si Qeveria e Republikës së Kosovës mund të mbështesë më shumë opozitën në Siri. Ne jemi të shqetësuar për gjendjen në këtë vend, për shkeljen masive të të drejtave të njeriu, dhe po ashtu, jemi të interesuar që në të ardhmen në një mënyrë të mbështesim edhe financiarisht opozitën në Siri. Ne jemi të interesuar që çdo kërkesë që ka opozita siriane, brenda mundësive tona reale, t’i mbështesim duke përkrahur një Siri demokratike”.

Siria është e përfshirë nga dhuna dhe protestat antiqeveritare që nga marsi i vitit 2011 që kërkojnë largimin nga pushteti të Bashar al Asad-it, revolta që kanë shkaktuar vdekjen e mbi 9 mijë civilëve dhe zhvendosjen e qindra mijëra të tjerëve nga banesat e tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA