Parlamenti i Maqedonisë me 85 vota pro miratoi Deklaratën për afirmimin e strategjisë së vendit për anëtarësim në NATO të propozuar nga mazhoranca.

Por kjo deklartë nga opozita shqiptare është vlerësuar si si demagogji e partnerëve të koalicionit qeveritar. PDSH e RDK thonë se nuk ka shqitparë që është kundër anëtarësimit të Maqedonisë në NATO, por pa ndryshimin e emrit, një gjë e tillë është e pamundur.

“Unë nuk di ku shihet arsyeja e kësaj rezolute kur dihet qartë se kushti i Maqedonisë për anëtarësim në NATO dhe BE është të ndërrojë emrin. Pikërisht për këtë, ne nuk jemi për kësilloj patetizmash dhe dyftyrësish kur në fakt nuk punohet në drejtimin e duhur që të gjendet një kompromis për çështjen e emrit, por tentohet në kësi mënyra, sigurisht për të mbuluar paaftësinë dhe mospasjen e zgjidhjen, ofertës për zgjidhje të çështjes së emrit ne nuk mund të lejojmë që të bëhemi pjesë e kësaj maskarade”, deklaroi Imer Aliu, deputet i PDSH-së.

“Është një përpjekje që vetëm arsyeton dështimin e politikës, në zhbllokimin e procesit të integrimit të vendit. Gjykojmë që qeveria duheshe të zhvillonte negociata dhe përmes negociatave duke zhvilluar strategjinë e kërkimit të rezultatit që do të fitonte edhe Greqia edhe Maqedonia në kontekstin e emrit, ne sot do ta kishim ftesën dhe Maqedonia në Samitin e Çikagos do të ishte anëtare e NATO-s”, tha Izet Zeqiri, deputet i RDK-së.

Deklarata për reafirmimin e qëllimit strategjik për anëtarësimin e vendit në NATO u dorëzua në Parlament një ditë më parë nga dy partitë e koalicionit VMRO-DPMNE dhe BDI. Në të theksohet se integrimi i vendit në Aleancë është përcaktimi kryesor politik i institucioneve të vendit. Me këtë deklaratë bëhet thirrje që të respektohen parimet e dyerve të hapura të NATO-se dhe se bëhet e qartë se Maqedonia ka plotësuar të gjitha kriteret dhe kushtet për anëtarësim.

Top Channel