Juppe: Me Hollande, Franca zhytet në krizë

26/04/2012 16:30

Ministri i Jashtëm i Francës, Alain Juppe, i dha të enjten një mbështetje të pritshme presidentit Nicolas Sarkozy në garën e tij për një mandat të dytë në krye të “Elysse”.

”Një votë për Francois Hollande do të përbënte një garanci për përfshirjen e Francës në një krizë borxhesh”, deklaroi Juppe.

”Hollande nuk është i angazhuar për qëndrueshmërinë e vendit dhe në rast fitoreje, do të ishim realisht të kërcënuar nga mundësia e përfshirjes në krizën aktuale të Eurozonës. Këtë ai e ka bërë të qartë në vetë deklaratat e tij, duke shprehur dëshirën për të ndryshuar atë rregullt të artë stabiliteteti, atë traktat ekonomik të cilin 25 nga 27 anëtarët e BE-së janë zotuar ta respektojnë”, shtoi Ministri i Jashtëm.

Qeveria e Sarkozy, duke punuar ngushtë me kabinetin e Kancelares Gjermane, Angela Merkel, luajti një rol kyç në përpunimin e traktatit në fjalë, të miratuar në parim në fillim të vitit dhe që pritet të hyjë në zbatim përpara 2013-s.

Traktati parashikon norma më të forta buxhetore dhe ndëshkime konkrete për vendet që nuk do t’i respektojnë këto kufizime. Plani gjeti një mbështetje të gjerë në vendet e BE-së, duke mos u firmosur vetëm nga Britania e Madhe dhe Republika Çeke, të cilat vlerësuan se masat e parashikuara shtyheshin përtej parimeve të sovranitetit të një vendi.

Kandidati socialist Hollande, doli fitues nga zgjedhjet e raundit të parë, në të cilin ai grumbulloi 28,6% të votave, ndërsa Sarkozy u rendit i dyti me 27,1%.

Hollande kryeson edhe në sondazhet për fitoren e balotazhit që do t’i japë njërit prej të dyve mandatin 5-vjeçar për të udhëhequr Francën deri në 2017-n, por rezultati është ende i paparashikueshëm, për shkak të votuesve të shumtë të pavendosur dhe paqartësisë se për kë do të votojë një e pesta e elektoratit që mbështet ekstremin e djathtë të Marine le Pen.

Top Channel