Chavez rikthehet ne Venezuele pas trajtimit 11 ditor

26/04/2012 16:10

Presidenti i Venezuelës, Hugo Chavez, u rikthye në shtëpi pas 11 ditësh trajtimi në Kubë, ku iu nënshtrua një trajtimi të plotë me rreze, për të kuruar kancerin nga i cili është prekur.

Chavez realizoi një operacion të dytë në muajin shkurt dhe që prej atëherë, udhëtimet e tij nga Karakasi në Havanë e anasjelltas janë bërë të zakonshme, ndërsa vazhdon luftën ndaj sëmundjes vdekjeprurëse.

57-vjeçari, në krye të shtetit të Amerikës Jugore që prej vitit 1999, reagoi ashpër ditën e hënë ndaj spekulimeve se ai kishte vdekur gjatë një ndërhyrje në Kubë, duke pretenduar se SHBA dhe aleatët e saj po ndërmarrin një luftë psikologjike kundër tij.

Chavez ka thënë më parë edhe se Shërbimet Sekrete Amerikane mund të jenë ato që e kanë sëmurë me një tumor malinj, duke parë një lidhje të çuditshme ndërmjet sëmundjes së tij dhe prekjes nga kanceri të tre udhëheqësve të tjerë latinë në të njëjtën kohë.

Presidenti në fuqi ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij në zgjedhjet e muajit tetor, në të cilin ai përballet me liderin e fuqishëm të opozitës, Henrique Capriles.

Chavez pritet të rikthehet sërisht së shpejti në Havanë për trajtime të mëtejshme. Gjendja shëndetësore e 57-vjeçarit është bërë objekt spekulimesh të shumta, me stafin e tij që pretendon se presidenti është drejt shërimit, por edhe me mjekë të tjerë të cilët pretendojnë se njohin nga pranë gjendjen e tij dhe janë shprehur në media se liderit venezuelian i mbeten vetëm pak muaj jetë.

Top Channel