SHBA, Gingrich do të braktisë fushatën

25/04/2012 20:50

Kandidati republikan, Newt Gingrich, pritet të pezullojë fushatën javën e ardhshme.

Ish-kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve mbështeti kandidimin e Mitt Romney-it, pas fitores të së martës, në pesë shtete. Gjatë ndalesës në Karolinën e Veriut,  Gingrich pranoi hapur dorëzimin e tij.

“Vjen një pikë dhe duhet të jesh i sinqertë me çfarë ndodh në boten reale, ndryshe nga ajo që do të kishe dashur të ndodhte. Romney pati një ditë shumë të mirë të martën. Duhet t’i japim mbeshtetje”, deklaroi ai.

Gingrich tha se do të vazhdoje fushatën deri javën tjeter si një qytetar, ku do të flasë për çështjet ekonomike dhe papunësinë. Prej janarit, ai ka siguruar vetëm dy fitore në Karolinën e Jugut dhe Xhorxhia.

“Ne do të vazhdojmë të jemi shumë aktivë dhe po përpunojme detajet e tranzicionit tonë. Por, unë jam i angazhuar për partine, i angazhuar për të mposhtur Obamën”, shtoi ai.

Gingrich do të vazhdojë të bëjë disa ndalesa të parashikuara në Karolinën e Veriut, ku zgjedhjet paraprake do të zhvillohen me 8 maj. Me 1 maj, ai do të zhvillojë fushatën e fundit, në Uashington DC.

Në dhjetor, Gingrich, besimplote deklaroi se do te ishte ai kandidati i republikanëve për president. Ai u zotua se do të vazhdonte betejën edhe pasi rivali me i afërt i Mitt Romney, ish-guvernatori i Pensilvanisë, Rick Santorum pezulloi fushatën në fillim të muajit prill.

Ish-guvernatori i Masaçusets kryeson me delegatë dhe edhe matematikisht është thuajse e pamundur për kandidatet e tjerë që të sigurojnë 1 144 delegatët e nevojshëm, për të marre kandidimin e Partisë, në konventen e gushtit.

Duke folur pas fitores ne Konektikat, Delauer, Nju Jork, Pensivalni dhe Rod Ajlend, Romney garantoi se do ta fitojë Shtëpine e Bardhë dhe do t’i japë fund katër viteve të zhgënjimeve. “Prisni dhe pak”, iu drejtua ai mbështetësve. “Një SHBA më e mire, ju pret”.

Top Channel