Sarkozy: Nuk ka marrëveshje me Le Pen

25/04/2012 15:10

Presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, përjashtoi çdo mundësi marrëveshje me ekstremin e djathtë, ndërsa njëkohësisht theksoi se votuesit e Frontit Kombëtar të Marine le Pen nuk duhet të demonizohen.

”Nuk do të ketë asnjë marrëveshje me Frontin Kombëtar për vende ministrore”, deklaroi presidenti në radion “France info”.

Pasi u rendit i dyti në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, Sarkozy ka nevojë të domosdoshme për mbështetje nga ana e ekstremistëve, në mënyrë që të arrijë të përmbysë disavantazhin ndaj socialistit Hollande, në balotazhin që do të përcaktojë se cili do të jetë njeriu që do të drejtojë “Elysse” për pesë vitet e ardhshme.

Nga ana e tij, Francois Hollande nisi menjëherë betejën për të marrë të paktën një pjesë të 18% të votuesve francezë, mbështetës të Frontit Kombëtar në raundin e parë, duke pretenduar se një pjesë e ekstremistëve janë në të vërtetë zgjedhës të majtë, të zhgënjyer nga rendi social në fuqi.

Të mërkurë, kandidati socialist u shpreh gjithashtu se do të mbështesë vendimin e kandidatit të qendrës, Francois Bayrou, që grumbulloi 9% të votave dhe u rendit i pesti në raundin e parë. Ai ende nuk është shprehur ende se cilin do të mbështesë.

Në zgjedhjet e raundit të parë, Hollande arriti të fitonte 28,6% të votave, nga 27,1% të francezëve që zgjodhën presidentin në fuqi, Nicolas Sarkozy.

Megjithatë, ishte përfaqësuesja e Frontit Kombëtar, Marine le Pen, ajo që tejkaloi të gjitha parashikimet, me fitimin e 18,1% të votave, çka përbën një rritje dramatike e frymës ultranacionaliste dhe euroskeptike në Francë.

Përfaqësuesi i së majtës ekstreme, Luc Melenchon dhe kandidati i qendrës, Bayrou, u renditën të katërtit dhe të pestit.

Në lidhje me suksesin e partisë së ekstremit të djathtë, pati deklarata të ashpra edhe nga ana e Kancelares Gjermane, Angela Merkel dhe nga kreu i KE-së, Jose Manuel Barroso, të cilët vlerësuan se “Europa është e rrezikuar nga rritja e mbështetjes për partitë populiste”.

Nga ana e saj, le Pen u përgjigj “e entuziasmuar” nga deklaratat e liderve europianë, duke argumentuar se frika nga Fronti Kombëtar tregon se lëvizja e saj përfaqëson qartësisht zgjedhjen më të mirë për Francën dhe francezët.

Top Channel