Ministri i Pushtetit lokal në Kosovë, Sllobodan Petroviç ka deklaruar se politika e barrikadave dhe ajo e bojkotit nuk i shërben interesave të serbëve në veri të Kosovës.

Duke folur pas një takimi me një zyrtar të Departamentit amerikan të Shtetit, Petroviç tha se politika të tilla vetëm sa do të izolojnë banorët e kësaj zone.

“Shumica e banorëve të pjesës veriore të Kosovës nuk e përkrah këtë politikë. Ato që ne mund t’ju ofrojmë atyre janë alternativat për një jetë më të mirë”, u shpreh Petroviç.

Sipas “REL”, ministri nga komuniteti serb theksoi se me zyrtarin amerikan kishte diskutuar posaçërisht për komunën e re të Mitrovicës Veriore, duke u fokusuar mbi mënyrat e zbatimit të strategjive të hartuara për këtë proçes.

Më  tej, Petroviç shprehu bindjen se situata në veri do të përmirësohet pas zgjedhjeve legjislative dhe presidenciale të 6 majit në Serbi.

Ashtu sikurse zyrtarë të tjerë të qeverisë kosovare, ai u shpreh po ashtu kundër shtrirjes së zgjedhjeve lokale serbe në zonën veriore.

Situata në pjesën problematike të Kosovës nuk ka ndryshuar, edhe pse së fundmi misionet ndërkombëtare të KFOR dhe EULEX kanë rritur praninë e patrullave të tyre.

Qëllimi i kësaj pranie të shtuar është që komuniteteve t’u ofrohet ndjenja e sigurisë si dhe të shtohet siguria publike. 

Top Channel