Një kontingjent prej 250 ushtarë të batalionit rezervë të KFOR-it, me ushtarë gjermanë, në orët e pasdites së të mërkurës kanë zbarkuar në Aeroportin  Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, kurse 450 ushtarë të tjerë pritet të mbërrijnë në Kosovë në ditët në vijim.

Ditë më parë, komandanti i KFOR-it Erhard Drews kishte deklaruar se rreth 700 ushtarë gjermanë dhe austriakë këto ditë do të zbarkonin në Kosovë dhe nga kjo shifër e paralajmëruar tashmë kanë arritur 250 ushtarë.

Lajmin e ka konfirmuar për “Kosova Press”, Mark Stubler nga zyra për informim e KFOR-it, i cili nuk ka saktësuar kohën dhe vendin e qëndrimit të ushtarëve në Kosovë, duke thënë se kjo është pjesë e çështjeve operacionale të KFOR-it dhe nuk i takon t’i komentojë ato.

“Sot ka arritur pjesa e parë prej 250 ushtarësh gjermanë dhe ata kanë arritur pak minuta para orës 15:00. Kjo është pjese e çështjeve operacionale që ne nuk i komentojmë”, ka thënë Stubler.

“Batalioni të cilit i takojnë ushtarët janë nën komandën e komandantit të KFOR-it dhe ai vendos se ku do të angazhohen. Çështja e kohës së qëndrimit është gjithashtu çështje operacionale që ne nuk e komentojmë”, ka vijuar ai.

Ndërkaq, deri të premten pritet që KFOR-it t’i bashkohen edhe 450 trupa shtesë të batalionit rezervë, me ushtarë gjermanë dhe austriakë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA