Komisioni Europian kërkoi një rritje prej 6,8% të buxhetit të BE-së për vitin 2013, duke argumentuar se “investime të menjëhershme janë të domosdoshme” për të rigjallëruar rritjen ekonomike.
Buxheti i BE-së paguhet nga kuotat e përbashkëta të 27 vendeve anëtare dhe financon projekte të ndryshme që kanë si synimin nxitjen e zhvillimit ekonomik, kryesisht në rajonet më të prapambetura të Europës, përfshi edhe vendet jashtë BE si Shqipëria.
Propozimi vjen në një moment kur pothuajse të gjithë shtetet anëtare po përshtasin politika kursimi dhe po reduktojnë buxhetet e tyre kombëtare.
Disa nga “peshat e rënda” të BE-së, përfshi Britaninë e Madhe, i kanë kërkuar KE-së që të heqë dorë nga disa projekte dhe të ulë pretendimet e tij.
Megjithatë, Komisioni argumentoi të dielën se buxheti i tij duhet të rritet në të paktën 138 miliardë euro (6,8% më shumë), duke nisur nga viti i ardhshëm.
Komisioneri i buxhetit të BE-së, Janusz Leëandoëski theksoi se “ekziston një thirrje urgjente për investime në rajonet më të varfëra të Europës”.
Gjithashtu, ai kujtoi se edhe në momentet e të vështira të së shkuarës, gjithmonë trendi për të rritur buxhetin ka qenë i qartë që prej themelimit të BE-së në vitin 1957 dhe se një shkurtim i tij nga një vit paraardhës nuk ka ndodhur kurrë më parë.
Top Channel