Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga u ka shprehur gazetarëve kosovarë vullnetin e saj për të rishikuar nenet e kontestuara të Kodit Penal të miratuar së fundmi nga Parlamenti.

Qëndrimin e saj Jahjaga e ka shprehur në një takim të zhvilluar të mërkurën me reporterë dhe përfaqësues të Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë të Kosovës.

Në përfundim të këtij takimi, kryetari i AGPK-së, Arben Ahmeti ka deklaruar se reporterët kishin marrë garanci nga kryetarja e shtetit për rishikimin e dy neneve që sipas tyre kufizojnë lirinë e medias.

Ahmeti ka njoftuar gjithashtu planin e të gjitha mediave për të bojkotuar punën e institucioneve të Kosovës më 3 maj, në shenjë proteste ndaj vendimit të tyre.


Kodi Penal i miratuar pak ditë më parë
nga Kuvendi i Kosovës, parashikon penalizimin e gazetarëve në rast shpifjeje, si dhe i detyron ata të zbulojnë burimet e tyre në rast proçesi.

Ndërkohë, lidhur me Kodin Penal ka reaguar edhe organizata e mirënjohur Reporterët pa Kufij, që ka kundërshtuar ashpër dy nenet e përfolura të tij.

Organizata është shprehur se, është e papranueshme që të kriminalizohet shpifja dhe që gazetarët të detyrohen të publikojnë burimet e tyre.

“Këto nene janë të papranueshme. Duket qartë se ato kanë si synim t’i mbyllin gojën atij lloji të gazetarisë që bezdis qeverinë”, thuhet në reagimin e Reporterëve pa Kufij.

Duke theksuar se Kodi i ri Penal përbën një sulm serioz ndaj mediave dhe demokracisë, organizata ka nënvizuar se, e drejta për të hulumtuar dhe mbrojtur burimet janë parime themelore në gazetari.

Vetë gazetarët kosovarë mbajtën ditën e hënë një protestë kundër këtyre ndryshimeve, që sipas tyre i merr frymën medias së lirë për shkak të denoncimeve të aferave pushtetare.

Top Channel