“Mein Kampf” do të publikohet në Gjermani

25/04/2012 15:45

Bavaria, një prej 16 landeve që përbëjnë Gjermaninë, është duke u përgatitur që të publikojë librin ku Adolf Hitler shkruan kujtimet dhe parashtron platformën e tij, “Mein Kampf” në vitin 2015, kur të skadojë një ndalim 70-vjeçar për këto botime.

Ndonëse libri nuk është i ndaluar shprehimisht me ligj në Gjermani, Bavaria ka përdorur një urdhëresë censuruese që prej vitit 1945, për të ndaluar riprodhimin e tij. Megjithatë, kjo urdhëresë do të skadojë pas tre vitesh dhe kriteret për zgjatjen e kufizimit nuk ekzistojnë.

Qeveria autonome e landit, informoi gjithashtu se do t’i bashkangjisë “Mein Kampf” një koment kritik, adresues lexuesve dhe mbi të gjitha studentëve që do ta përdorin në të ardhmen.

Hitleri shkruajti librin në fjalë, që i përkthyer në shqip do të thotë “Lufta Ime”, në vitin 1924, ndërsa ishte duke vuajtur në burg një dënim 5-vjeçar për organizimin e një grushti shteti të passuksesshëm.

Dy vëllimet e “Mein Kampf” u publikuan për herë të parë në vitet 1925 dhe 1926, përpara se Hitleri të bëhej kancelar i Gjermanisë.

Ndonëse në libër nuk përshkruhen shprehimisht detajet e planeve për vrasjen e hebrenjve, vepra përshkrohet nga një frymë e qartë raciste dhe përmban ide si ajo e “hapësirës jetike”, me të cilën u justifikua agresioni ndaj Bashkimit Sovjetik në 1941-shin.

Top Channel