Sudani shpall luftë ndaj fqinjëve jugorë

24/04/2012 16:10

Presidenti i Sudanit të Jugut, Salva Kiir, akuzoi Sudanin se i ka shpallur luftë vendit të tij, pas disa javësh konfliktesh në zonat kufitare.

Deklarata e Kiir u bë nga Kina, një vend që është blerësi kryesor i naftës që prodhojnë të dy shtetet, por që ka shprehur më parë hapur mbështetjen për Sudanin e drejtuar nga presidenti Omar al-Bashir.

Pjesë e Sudanit deri në korrik 2011, Jugu fitoi pavarësinë nëpërmjet një referendimi popullor të sponsorizuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Që prej atëherë, të dy shtetet janë përfshirë në një konflikt të hapur ndërkombëtar, në lidhje me sovranitetin e disa zonave të diskutueshme kufitare të pasura me naftë.

Ditën e hënë, kreu i OKB-së, Ban Ki-moon, dënoi ashpër bombardimin e një qyteti kufitar në territorin e Sudanit të Jugut, në të njëjtën kohë që i kërkoi edhe Jugut që të ndalë provokimet dhe veprimet ushtarake ndaj veriut.

Megjithatë, në të njëjtën ditë, presidenti al-Bashir u shpreh se nuk është i gatshëm të ulet në tryezën e bisedimeve, pasi sipas tij, “qeveria e Jubës njeh vetëm gjuhën e armëve”.

Presidenti i Sudanit: Luftimet do të vazhdojnë

Presidenti i Sudanit, Omar al-Bashir, përjashtoi mundësinë e bisedimeve të paqes me Sudanin e Jugut, ndërsa theksoi se veprimet ushtarake do të vazhdojnë.

Deklarata e tij u bë të hënën gjatë një vizite në rajonin naftëmbajtës të Hegligut, i cili u rifitua pas pushtimit nga trupat e Sudanit të Jugut, rreth dy javë më parë.

Sipas Sudanit të Jugut, trupat u tërhoqën nga Hegligu, por sipas al-Bashir, ishte ushtria e Sudanit ajo që i detyroi të zmbrapseshin, në një luftë në të cilën mbetën të vrarë mbi një mijë ushtarë.

Më parë gjatë të hënës, avionë të ushtrisë sudaneze u panë duke bombarduar rajone përtej kufirit nga korrespondentë të mediave ndërkombëtare. “Ne nuk do të bisedojmë me qeverinë e Jugut, pasi ata nuk kuptojnë asnjë gjuhë tjetër përveçse asaj të armëve”, deklaroi al-Bashir për “Reuters”.

Presidenti Barack Obama i kërkoi dy vendeve të pasura me naftë që të braktisin menjëherë mosmarrëveshjes dhe të ulen në tryezën e bisedimeve, por sipas të gjitha gjasave, konflikti po përshkallëzon në një luftë të re rajonale në Afrikë.

Aktualisht, kontinenti është i turbulluar edhe nga disa konflikte të tjera, me rebelët që i kanë shpallur luftë qeverive në Uganda, Mali, Çad e disa shtete të tjera e me grushte shteti në zhvillim në Mali e Guinea-Bisau.

Top Channel