Partia Progresiste e Serbisë, e drejtuar nga radikali Tomisllav Nikoliç,
do të fitojë më shumë vota se Partia Demokratike e Boris Tadiç në
zgjedhjet e 6 majit.

Kështu thotë një sondazh i kryer së fundmi nga agjencia “Faktor Plus” dhe i publikuar në agjencinë franceze të lajmeve “AFP”.

Sipas sondazhit, partia e Nikoliç do të marrë 33.5 për qind të votave, ndërsa ajo e kreut të dorëhequr të shtetit 28.3 për qind, kuota këto të pamjaftueshme për të siguruar shumicën.

Sondazhi në fjalë është kryer mes datave 14 dhe 22 prill dhe gjatë tij janë intervistuar 1084 persona, të cilët kanë dhënë mendimin e tyre.

Serbia po bëhet kështu gati për zgjedhjet presidenciale të 6 majit, ku për postin e presidentit garojnë 11 kandidatë të fraksioneve të ndryshme politike.

Përveç Tadiç dhe Nikoliç, mes emrave figurojnë edhe politikani ultranacionalist Vojisllav Koshtunica, si dhe pro-perëndimori Çedomir Jovanoviç.

Më herët gjatë muajit, Nikoliç mbajti një tubim elektoral në Mitrovicë, ku deklaroi se Kosova do të mbetet gjithmonë pjesë e Serbisë.

Ndërsa Tadiç, tashmë një president në detyrë, deklaroi në prag të Pashkëve Ortodokse se besonte fuqishëm në ringjalljen e Serbisë, që sipas tij do të ndodhë kur vendi të ecë me këmbët e tij.

Top Channel